Vetëm në New York deri më tani ka 5,683 të infektuar nga koronavirusi, por edhe atje, deri para pak ditësh ishin shqiptarët ata që mendonin se "janë të paprekshëm" dhe se kjo pandemi botërore s'ka çfarë i bën.
Prej ditësh, në internet qarkullon një video e shkëputur nga një edicion lajmesh, ku gazetarja raportonte gjendjen në vend dhe u ndal pikërisht tek ajo që i bëri më shumë përshtypje. Kafenetë e mbushura plot dhe kryesisht me klientë shqiptarë!
Gazetarja qëndronte para kafenesë “Prince Coffee House”, në Bronx, New York dhe e habitur tregonte se edhe pas përhapjes së koronavirusit njerëzit dhe kryesisht shqiptarët qëndrojnë të pashqetësuar nëpër lokale.
"Ky lokal deri pak më parë ishte i mbushur me njerëz që shijonin kafen. Kjo është një zonë e populluar nga shqiptarët dhe është në kulturën e tyre të pinë kafe në çdo orë dhe kohë. Një nga punonjësit më tha se ata janë gjithnjë shumë mirë."-u shpreh gazetarja.
"Nuk ka koronavirus që ndalon shqiptarët.- dëgjohet të thotë duke qeshur një prej punonjësve të kafenesë, me origjinë shqiptare. Kjo është kafe shqiptarësh, ata vijnë gjithmonë këtu, edhe në raste ekstreme bore."- përfundon ai.
Videoja ka bërë xhiron e internetit dhe s'tregon asgjë më shumë se sa një tjetër çudi shqiptare, por kësaj here, shumë të rrezikshme. Sot New York-u duket krejt ndryshe në shtetrrethim dhe sigurisht që koronavirusi mund t'i ndalë shqiptarët. Aq më tepër nëse janë të papërgjegjshëm.