Familjarët e legjendës Nexhmije Pagarusha treguan për Televizionin T7 se ikona e muzikës shqiptare kërkoi që “të varrosej në një ceremoni private” duke mos pranuar pjesëmarrjen e shtetit në varrimin e saj.
Në një lidhje telefonike me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, Radije Hoxha, mikeshë e saj, tregoi se pak kohë më parë i kishte thënë: “Kur vdesim, merret Zoti me ne. Për së gjalli, le të merren të tjerët”.
Një tjetër amanet i Pagarushës ishte që të varrosej në vendlindje, në fshatin Pagarushë në komunën e Malishevës, Kosovë.
Nexhmije Pagarusha, Bilbili i Kosovës dhe i mbarë kombit shqiptar, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Ajo vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Familjarët e saj dhanë lajmin e hidhur në Facebook përmes fotove të zisë dhe postimeve.