Një pjesë e njerëzve, përpos atyre që vlerësuan këngën e Robert Berishës, u habit nga përzgjedhja e tij si një nga 12 finalistët e “Festivalit të Këngës”. Duhet thënë se skepticizmi për punën e Berishës nisi që në fillim të Festivalit, pasi pavarësisht se ai thekson nëpër intervista se ka mbi 20 vite që merret me muzikë, publiku, të paktën ai shqiptar, e njeh si muzikant, kryesisht të rrymës turbo-folk, këto 2 vitet e fundit, pas bashkëpunimit me Norën në “S’ka inat”.
Mirëpo në këto dy vite, Berisha qëndron në qendër të vëmendjes, madje shumë më tepër se vetë Nora; herë përmes pjesëmarrjes dhe komenteve nëpër spektakle, herë përmes ngacmimit të qëllimshëm të portaleve e së fundmi përmes komenteve me ndjekësit.
Siç e thamë në paragrafin e parë, një pjesë e mirë e njerëzve thekson se Kanita, Wendi Mancaku dhe Kastro Zizo nuk duhet të mungonin kurrsesi në finale. Për ta, përbën çudi përzgjedhja e këngës së Robertit, të cilën e cilësojnë si “tallava”.
Nisur nga komentet, ndjekësit nuk kanë ndonjë problem me interpretimin e Robertit, por me këngën. Gjatë “Aperitiv Fest” pas natës së dytë, ai theksoi se “këndoi live” dhe “performoi shumë mirë”. Mesa dimë, të gjithë performuan live, ndërsa përsa i përket stonimeve, të gjithë konkurrentët e kanë treguar se dinë të këndojnë live dhe fakti që mund të ketë pasur luhatje në nota, është e kuptueshme sepse u ndodh të gjithëve. Fundja “Festivali i Këngës” nuk është “The Voice” apo “X Factor” ku mbahet “inventari” i notave të stonuara, por shihet performanca në tërësinë e saj. Fakti që Roberti nuk gaboi asnjë notë, nuk e bën automatikisht pretendent kryesor për finalen/fitoren.
“Pupupu rroftë ‘meritokracia’. Kandidat për të fituar Robert Berisha dhe Gena,” shkruan një ndjekëse, të cilës Berisha i përgjigjet: “Pse nuk të ftuan në juri ty si eksperte e muzikës. Ik futja gjumit e ha molla se ti qenke në shpirt si mbiemri yt. Pupupu.”
Sigurisht që ndjekësja nuk është eksperte e muzikës, për aq kohë sa gabon kur e cilëson këngën e tij “tallava” – sepse realisht nuk është – por gjithsesi nuk është ndonjë veprim i hijshëm ironia e panevojshme e Robertit.
Në një tjetër rast, Berisha i kthehet një ndjekëseje me frazën “lopë serioze”. Fraza është fyese, por gjithsesi nëse ka kuptim tjetër, lutemi që dikush të na i shpjegojë.
Në vend të këtij ndërveprimi hidh-e-prit me ndjekësit, Berisha mund të kishte zgjedhur t’i sqaronte dhe/ose t’i edukonte se kënga e tij nuk është tallava për 1,2,3 arsye. Kështu qetësoheshin të gjithë nëse problemi i vërtetë qëndron te rryma e muzikës.
Komentet: