Në janar të këtij viti, Elida, 28-vjeçarja nga Burreli, ishte pjesë e emisionit “Dua të të bëj të lumtur”, ku rrëfeu për problemet me bashkëshortin, Arianin, të cilat e detyruan ta denonconte. Në emision, Elida tha se ata kishin debate, shtyrë nga problemet ekonomike, që në disa raste përfundonin në dhunë fizike. “Unë e denoncova. Nuk e mendoja se ligjet në Shqipëri ishin shtrënguar. Deri dje, nëse të ndalonte një polic në rrugë e kaloje me pesë mijë lekë. Mendova që do rrinte 24 orë brenda, le të kuptonte çfarë ishte familja. Por nuk ndodhi kështu,” tregoi ajo duke thënë se ai qëndroi 8 muaj në burg. Gjatë kohës që bashkëshorti ishte pas hekurave, Elida pranoi se fliste në telefon me një person tjetër, me të cilin dilte në kafe. Në emision, të përlotur, të dy folën për raportin e tyre. Ndër të tjera, ata cekën edhe problemet ekonomike. "Ka njerëz që e ndjekin emisionin dhe janë të gatshëm t’ju ndihmojnë," i tha Arbana Osmani çiftit.
Dy javë më parë, Ariani u bë pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan. Ai deklaroi se bashkëshortja kish braktisur të tre fëmijët. Historia e tij mori vëmendje mediatike, ku qytetarë dhe “Fundjavë Ndryshe” i erdhën në ndihmë me ushqime dhe veshmbathje.
Së fundmi, në një përballje live në “Historia ime”, Elida mohoi faktin që ka braktisur fëmijët, thjesht është larguar sepse nuk jeton dot më me Arianin. Ndër të tjera, foli edhe për pjesëmarrjen e tyre në “Dua të të bëj të lumtur”. “Se harrova, edhe emisioni që është bërë herën tjetër, është bërë me dijeni të Arianit, sepse na kanë paguar dy muaj qira dhe na kanë sjellë tre muaj ushqime në shtëpi,” tha ajo. “Po, kam gënjyer. Kemi rënë në komplot me Arianin që dolëm në emision. Thjesht që të paguanim qiranë dhe të merrnim ushqime.”
Historia e Elidës në "Dua të të bëj të lumtur" u kritikua nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. “Nisur nga reagimet e shumta në rrjetet sociale dhe nga reagimi i një grupi organizatash që punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të vajzave dhe grave, mori në shqyrtim ‘Dua të të bëj të lumtur,” shkruhej në shkresën që AMA i dërgoi Top Channel.
“Rrëfimi i zonjës, e cila pranon dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti, duke e toleruar dhe justifikuar atë, legjitimon ushtrimin e dhunës me bazë gjinore, duke shkelur në këtë mënyrë parimet e sanksionuara nga ligji,” vijoi shkresa.
Segmenti “Dua të të bëj të lumtur” shkeli dy pika, një të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë,” dhe një të Kodit të Transmetimit. Përkatësisht, në pikat e shkelura thuhet se “operatorët e shërbimit audioviziv, gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre, udhëhiqen nga... moslejimi i transmetimeve që nxisin dhunën mes shtetasve,” dhe “transmetimet audiovizive nuk duhet të të nxisin urrejtjen, intolerancën, diskriminimin ose të justifikojnë dhunën ndërmjet shtetasve.”
Nën komentet e videos së segmentit në YouTube viheshin re pikërisht llojet e komenteve që AMA synon të parandalojë. “Elida më vjen keq që të paska dhënë një shuplakë burri, por ti meriton shkop tre herë në ditë, shkruan dikush. Komentet qenë thuajse të gjitha drejtuar Elidës e të gjitha patën natyrë denigruese.