
Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në “Porta a Porta” në Rai Uno, ku në panelin e organizuar nga Bruno Vespa diskutoi mbi pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe kontributin e shteteve fqinje, përfshirë këtu edhe Italinë. Ndër të tjera, kryeministri u pyet edhe në lidhje me të fejuarën e djalit të tij, Gregut, e cila ndërroi jetë nën rrënojat e pallatit gjashtëkatësh në Durrës.
“Po, është e vërtetë,” u përgjigj Rama. “Por më lejoni të them që duke u gjendur në këtë situatë të veçantë dhe [nisur nga] ky detyrim shumë i lartë për të qenë kryeministër i një vendi që po kalon këtë tragjedi, nuk kam dashur të flas për këtë sepse nuk është diçka që ka të bëjë me mua apo me familjen tonë, por ka të bëjë me të gjithë ne. Kjo thjesht e shtoi atë detyrimin tim të brendshëm për të bërë gjithçka, sepse unë nuk gjej dallim mes të gjithë atyre që kanë humbur jetën.”
Kjo është hera e parë që kryeministri pranon se Kristi Reçi ishte e fejuara e djalit të tij. Ai u pyet edhe nga Sokol Balla pak ditë më parë, por i prekur e la intervistën përgjysmë.
“Nuk dua të flas për gjëra që lidhen me aspekte personale dhe gjëra të djalit. Unë sot jam në një pozitë të pamundur ta shpjegoj. Ndoshta është shumë e vështirë që të kuptohet nga ata që e konsiderojnë politikën një mizerabilitet apo një instrument për të vjedhur. Dhe që kujtojnë se të gjithë jemi njësoj dhe që kujtojnë se unë rri këtu dhe po jap mish e shpirt për lekë, por miqësia ime është shumë e fortë dhe unë i kam të gjithë këta njerëz të prekur si Gregun. Isha me…” tha kryeministri, përpara se të ndërpriste intervistën për t’u larguar.
Një ditë pas tërmetit shkatërrues që la pas 51 viktima, Greg Rama shkroi në rrjete sociale për Kristi Reçin, 25-vjeçaren me të cilën ishte në një lidhje prej gati tre vitesh: "Mes viktimave të shumta nga kjo fatkeqësi natyrore edhe një njeriu im i afërt së bashku me vëllanë e saj, mamin dhe babain janë gjetur nën rrënoja. Vetëm dy trupa janë nxjerrë deri tani nga gërmadhat e asaj që u shpall ditë zie kombëtare.”
Kristi Reçi, vajza e xhaxhait të këngëtares Evi Reçi, ndërroi jetë nën rrënoja së bashku me tre anëtarët e familjes, babain Eduardin, nënën Dolora dhe vëllain Klaus, përkatësisht 54, 49 dhe 21 vjeç. Studentja e Mjekësisë banonte në të njëjtin pallat me familjen e Diana Karanxhajt, e cila humbi jetën së bashku me nënën dhe vajzën 8-vjeçare.