E ftuar tek "Rudina" pasditen e sotme ishte Iris Luarasi, e cila foli për pasojat që la tërmeti i 26 nëntorit tek njerëzit, duke listuar gjithë çfarë mund të bëhet për mirëorganizimin e rimëkëmbjes.
Ndër të tjera, Luarasi theksoi se "një ministre që qan, nuk i bën mirë askujt".
"Pasi ka kaluar trauma e parë njerëzit kanë nevojë për mbështetje psikologjike. Siç e thashë, një pjesë e mirë e tyre kanë frikë edhe të hynë në një banesë. Një pjesë e tyre kanë lënë çdo gjë atje, portofolët, kursimet e jetës, fotografi...Gjithë jetën brenda. Prandaj unë them që njerëzit kanë nevojë për dashuri, kanë nevojë të ndihen të përkrahur dhe të mbështetur.
Unë nuk mendoj që i bën mirë të dali një ministre dhe të qaj, përkundrazi, unë mendoj që njerëzve iu bën mirë një fjalë e ngrohtë dhe një njeri që është i fortë! Një njeri që të tregon ty se shteti ekziston dhe këtu ne jemi të fortë për të të mbështetur.
Do isha shumë larg këtyre patetizmave që i ka kaluar koha. Doja që të shikoja vërtet njerëz që mbështesin me të gjitha forcat njerëzit në terren. Nuk ka nevojë të qash, as në një studio televizive as në konferencë për shtyp. Kjo s'i ndihmon njerëzit dhe nuk ua bën atyre më të lehtë dhimbjen." - u shpreh Luarasi.
Ndonëse nuk përmendi në asnjë çast emrin e ministres Olta Xhaçka, kjo e fundit nuk i mbajti dot lotët teksa lexonte listën me emrat e viktimave të 26 nëntorit.