Muzika

Ekskluzive: Më në fund, te 'Kënga Magjike', Soni Malaj me një baladë dhe një super ekip!

Shkruar nga Anabel

20 Nëntor 2019

Ekskluzive: Më në fund, te 'Kënga Magjike', Soni Malaj

Shumë gjëra nuk dimë për Soni Malaj, por një gjë e dimë si drita e diellit: Baladat e saj si “Ndarja” apo “Shpirti Binjak” na kanë hyrë aq thellë në venat e zemrës, sa zor të harrohen.  E pranojmë, na ka marrë malli për atë Sonin që e gjente fjalën e duhur për zemërthyerit apo të dashuruarit, ndaj u gëzuam kur morëm vesh që në këtë edicion të "Këngës Magjike," ajo rikthehet me një baladë. Por prisni, se ka edhe më! Artistja vërtet ka ndërmend të rikthejë shijen e sukseseve të saj, duke bashkëpunuar sërish me Makin, kompozitorin nga Maqedonia që solli perlën “Ndarja” (Fituese si Kënga më e Mirë në "Top Fest 3”) dhe “Të dua ty” (jua kujtojmë ne “Je gjysma ime në këtë jetëëëë”).

Kënga quhet “Shije tradhëtie” dhe flet për një djalë që tradhëton e kërkon falje.Teksti është shkruar nga Ilir Berani, bashkëshorti i Gilit.

Kur ju thamë në titull  që kjo baladë ka një super ekip nuk po gënjenim. Orkestrimin e ka realizuar Shpëtim Saraçi dhe për herë të parë, në një festival shqiptar muzike, Saraçi bashkëpunon me të birin, Drin. Këngën Soni e mori dhe e masterizoi në Itali me një prej më të mirëve, Marco Borsati. Tani prisni vetëm ta dëgjoni të dielën (24 nëntor 2019) gjatë rubrikës “Kënga Magjike” tek “E diela Shqiptare”. Dhe ndërsa prisni, merrni ca facoleta dhe kujtoni edhe njëherë këto balada të paharrueshme të artistes.