TV Mania

Florian Agalliu rikthen në televizion formatin e suksesshëm

Shkruar nga Anabel

19 Nëntor 2019

Florian Agalliu rikthen në televizion formatin e suksesshëm

Duke filluar që nga janari i vitit të ardhshëm, Florian Agalliu nuk do të jetë më pjesë e “Në shtëpinë tonë”, lajm të cilin e konfirmoi për Anabel në fund të tetorit. Në “Dance with me”, Agalliu u shpreh se jo vetëm që do të rikthehet në televizion shumë shpejt, por ka gati dy projekte në bashkëpunim me Ora News.

“Është e vërtetë që kam dhënë dorëheqjen, me shumë keqardhje. Shumë shpejt [do të rikthehem], jam në diskutime shumë serioze për dy projekte që i dua shumë; kam besuar që ditën e parë që mund t’i realizoj. [Do të jem] në Ora News.”

Një prej tyre pritet që të jetë një format i ngjashëm me “Scherzi a parte”, ku në qendër janë personazhe të njohur, të cilët vihen në lojë përmes kamerave të fshehta.

Nuk është hera e parë që Agalliu flet për këtë format. Në mars, ai tha për Anabel: “Formati rrotullohet rreth një personi që shkon në ditën e parë të punës në një punë të re. Është tërësisht reality me kamera të fshehta. Me përjashtim të personazhit që nuk di asgjë, pjesa tjetër e stafit është e përbërë nga aktorë të cilët e vënë në siklet dhe i luajnë rrengje punonjësit të ri.”

Por si pasojë e një keqkuptimi, Top Channel u tërhoq dhe programi u pezullua.

Nuk dihet ende emri i emisionit, por kur u përfol për herë të parë, u tha se emri do të ishte “Dita e parë e punës”.

Me përjashtim të rasteve kur segmentet me kamera të fshehta janë realizuar hera-herës si pjesë e emisioneve, një program i tillë nuk bën pjesë në listën e programeve televizive. “Dita e parë e punës” ose cilido qoftë emri i projektit të ri të Agalliut, është një mundësi e mirë për të rikthyer një format që ka rezultuar gjithnjë i suksesshëm në Shqipëri, ku përmendim këtu “Ishte lojë”.

Rikthejmë artikullin: Të gjitha rrugët të çojnë te Ora News