High Tech

Gjithçka që duhet të dini për fiksimin e momentit, TikTok

Shkruar nga Anabel

17 Nëntor 2019

Gjithçka që duhet të dini për fiksimin e momentit, TikTok

Nëse s’ia keni idenë çfarë është TikTok, jeni goxha mbrapa.

Aplikacioni ku postohen video u shpërhap me shpejtësi dhe pushtoi çdo cep të internetit. Teksa kompania pas TikTok vijon të zgjerohet dhe krijuesit që e përdorin i dedikojnë gjithnjë e më shumë kohë, TikTok po bëhet po aq popullor sa YouTube apo Twitch. Zakonisht, famën e shoqërojnë pyetje, kështu që, le t’u përgjigjemi.

Çfarë është TikTok?

Përdoruesit e TikTok e përdorin aplikacionin për të krijuar video të shkurtra, zakonisht me muzikë në sfond. Shumica e videove në platformë realizohen nga njerëz të thjeshtë që kërcejnë e këndojnë para kamerës me këngë popullore në sfond. Video të tjera fokusohen te skeçe të shkurtra komike, porsi Vine.

TikTok është kthyer në një nga aplikacionet për video të shkurtra më të mëdha në botë, por s’ka qenë gjithmonë kështu. Kur u publikua për herë të parë në vitin 2016, ishte një aplikacion i panjohur kinez, i quajtur Douyin. U ribrandua për përdoruesit amerikanë edhe pse teknikisht janë i njëjti aplikacion. Douyin përdor servera të ndryshëm nga TikTok për t’iu bindur censurës kineze. Aplikacioni mori vrull në 2017-n, kur u lançua në Amerikë, por shumica e përdoruesve u regjistruan pas shkrirjes me Muscial.ly.

Në gusht të 2018-s, TikTok përthithi aplikacionin Musical.ly. Këtu pati shpërthimin e shumë pritur që po e shijon prej më shumë se një viti. Në shkurt të 2019-s, aplikacioni – bashkë me versionin kinez – arriti më shumë se një miliardë shkarkime. Rreth 80 milionë përdorues jetojnë në Amerikë, një shifër kjo e arritur vetëm për dy vite.

Selia kryesore e TikTok ndodhet në Los Angeles, por kompania ka seli edhe në Neë York, Londër, Paris, Berlin, Dubai, Mumbai, Singapor, Jakarta, Seoul dhe Tokio. Misioni i kompanisë është të “frymëzojë kreativitet dhe të krijojë hare.”

Kush e krijoi TikTok?

Kompania teknologjike me bazë në Pekin ByteDance krijoi Douyin në vitin 2016. Kompania, e cila u themelua në vitin 2012, së fundi mori çmimin si startup-i më i vlefshëm, vlerësuar me 75 miliardë dollarë. Kompania zotëron edhe aplikacione të tjera, si Jinri, Toutiao dhe TopBuzz, që janë popullore në Kinë.

Kush e zotëron TikTok?

Kompania që zotëron TikTok, ByteDance, zotërohet nga Zhang Yiming. Sipërmarrësi 36-vjeçar i druhet jetës publike dhe prandaj dihen shumë pak gjëra rreth tij. Ai u diplomua nga Nankai University në vitin 2005 për inxhinieri softëare dhe u angazhua në disa nisma sipërmarrëse para ByteDance. Sipas faqes së tij zyrtare, Zhang “mori pjesë ose themeloi” Kuxun, një motorr kërkimi për udhëtimet dhe transportin, dhe Jiujiufang, një portal kërkimor për pronat e paluajtshme.

Në vitin 2015, në një fjalim të mbajtur në universitetin e tij, Zhang e krahasoi veten me CEO e Facebook, Mark Zuckerberg dhe Travis Kalanick, njeriun pas Uber.

Zhang zbuloi se i kaloi shumicën e viteve të tij akademike duke ndërtuar dhe zhvilluar website, që u pasuan nga kompania e tij tejet e suksesshme. Zhang lexon shumë, kryesisht biografi.

Si e nxjerr fitimin TikTok?

Në tetor të 2018-s, Bloomberg raportoi se ByteDance s’kishte fituar ende asnjë kacidhe. Kompania do të jetë shumë fitimprurëse në të ardhmen, duke marrë parasysh se u vlerësua si startup-i më i suksesshëm.

Përdoruesit mund të blejnë monedha brenda aplikacionit për t’ua dhuruar krijuesve të tyre të preferuar. 100 monedha, sasia më e vogël që mund të blesh, kushton 0.99 cent. Sasia më e madhe që mund të blesh është 10 mijë monedha dhe kushtojnë rreth 100 dollarë. Krijeusit që marrin dhurata zakonisht japin mbrapsh një përmendje që i shton ndjekësit dhuruesit. Një firmë informative raportoi se përdoruesit e TikTok shpenzuan 3.5 milionë dollarë brenda aplikacionit vetëm gjatë tetorit të 2018-s. Nuk e dimë me siguri sa komision mban kompania në këto shkëmbime financiare, por duke hamendësuar se funksionon si Musical.ly, fiton shumë. Musical.ly mbante 20% të çdo dhurate.

Gjithashtu, qarkullojnë thashetheme se agjencitë e reklamave po e marrin në konsideratë TikTok. Sipas Money, një reklamë në Douyin kushton 150 mijë dollarë për 24 orë. Reklamat në kryefaqje në Douyin kushtojnë 4 dollarë për klikim.

Për kë është TikTok?

TikTok përdoret kryesisht nga grupmosha 16-24 vjeç, sipas agjencisë së marketingut Mediakix. Përdoruesit në moshë të re janë drastikisht më shumë se grupmoshat e tjera.

Në të vërtetë, TikTok është për këdo. Çdo moshë e shijon aplikacionin, edhe pse shumica e përdoruesve janë të rinj. Aplikacioni është popullor edhe në vende të tjera në botë, në Indi, Turqi dhe Rusi.

Përshtatur nga The Daily Dot