KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Eja shohim pak Tv

Pse ulërasin të gjithë në ekranet shqiptare

Shkruar nga Anabel

6 Nëntor 2019

Pas pesë minutash që Klodiana Lala ndërpret pambarimisht Alfred Pezën, ai i quan veprimet e saj mungesë edukate. Sepse, të jemi të drejtë, të ndërpresësh pa mëshirë dikë që flet është mungesë edukate. Në vend që të pranojë gabimin, Lala revoltohet më tej dhe i kërkon Pezës të tërheqë atë që tha dhe të kërkojë falje. Në fjalët tona ngjan si një shkëmbim i vakët, por mënyra si ajo e ndërpret dhe mënyra si praktikisht e urdhëron të kërkojë falje pasi u tregua e pasjellshme për pesë minuta, është thjesht e tmerrshme. Siç mund ta shihni dhe vetë nga minuta e tetë e deri në fund.

Është mëse e qartë që falje duhet të kërkojë Lala, por kjo s’ka rëndësi.

Akoma më absurd se ky shkëmbim, që mund të shmangej lehtësisht thjesht duke ndjekur rregullat bazë të bashkëbisedimit është fakti se zënka të tilla janë mëse të rëndomta në ekran. Gjithçka nisi me zgjedhjen e Presidentit Trump, që u pasua nga debate të dy palëve të kundërta në ekran që s’thonin asgjë, por ziheshin me zë të lartë. Formula rezultoi shumë e suksesshme. Pavarësisht se audienca nuk informohet, sherri tërheq më shumë shikues se çfarëdolloj kontenti tjetër (me përjashtim të seksit, natyrisht.) Këtë taktikë e përqafoi së pari Blendi Fevziu që lejoi zënkat e ekzagjeruara të të ftuarve në panel sepse kuptoi që ulërimat tërheqin vëmendje.

Këtu nisi lufta për të rënë në sy. Njerëz të aftë e të paaftë, njerëz që e dinë ç’thonë dhe njerëz që shiten se dinë gjithçka i ulërasin njëri-tjetrit që të tërheqin sa më shumë vëmendje te vetja. Ky fenomen pati ndikim më të madh te gratë e ekranit. Duke qenë se janë minoritet në thuajse çdo fushë diskutimi, duhet të jenë më të zonja se kolegët e tyre për t’u njohur nga publiku e për t’u respektuar si figura autoritetare të fushës së tyre të ekspertizës. Por, kur hyjnë në këtë fushë të re beteje, ku burrat thjesht zihen me njëri-tjetrin, nuk mund të marrin kurrsesi vëmendjen që u takon duke u treguar të qeta e duke paraqitur fakte. Ngaqë vijnë nga një pozitë inferioriteti, edhe në këtë rast duhet të ulërasin më shumë se burrat.

Që na risjell te Klodiana Lala dhe sjellja e saj praktikisht qesharake në studion e “Real Story” në News 24. Ngjan e pamundur të mos e kuptojë se gabim në atë skenar është ajo dhe jo Peza që thjesht donte të çonte një dreq fjalie deri në fund. Më gabim nga të dy është Sokol Balla, që e lejoi debatin të përshkallëzonte sa mundi për pesë minuta dhe voli vëmendjen e shikuesit live dhe atij në internet. Kush nuk do e klikonte një sherr mes gazetarësh në studio.

Kur mënyra si thuhet diçka vlen më shumë se ajo që thuhet, këta personazhe që dikur ftoheshin për përvojën dhe ekspertizën, tani ftohen sepse klikohen. Thuajse çdo burrë, ndoshta me përjashtim të Preç Zogajt, ka ngritur zërin nëpër studio. Iris Luarasi, Mesila Dode, Klodiana Lala, Grida Duma po ashtu i janë përgjigjur zërit të lartë me zë të lartë. Debati televiziv është shndërruar në një garë ku fiton ai që ndërpret para se të ndërpritet, që bërtet para se t’i bërtasin.

Domosdoshmërisht, vlera e asaj që duhet thënë bie dhe askush nuk dëgjon më. Provojeni vetë të kuptoni për çfarë po flitet në debatin e Lalës me Pezën. Në pak sekonda, natyra e emisionit evoluon nga informative, në argëtuese.

Me këtë ritëm, si do t’i dallojmë ata që ftohen në studio sepse e dinë çfarë thonë nga ata që ftohen në studio sepse janë llazorë?

MOS I HUMBISNI