Ndoshta ju rrëshkiti, por Alketa Vejsiu pranoi haptazi se e ka ëndërr të aktrojë përkrah Timo Fllokos. Aktori ishte i pranishëm në sfilatën e Class pak ditë më parë dhe në foton që realizoi me të, Vejsiu shkruajti këto fjali konsekutive, të gjitha me pikëçuditëse: “Kinemaja shqiptare ka kuptim me Timon! Dhe... me shumë modesti, një ëndërr që po e them! Shpresoj shumë që të luaj një film me ty! Në fakt, nëse je ti aktori kryesor, mund të mendoj që të luaj një film!”
Alketa është e fundit që rrëfehet se i pëlqen ose i intereson kinematografia. Të tjerët para saj, thjesht e bënë, nuk folën gjatë. Gjithçka nisi me debutimin e suksesshëm të Elvana Gjatës në “2 gisht mjaltë” përkrah Ermal Mamaqit, që ngjan e çuditshme, por doli këtë vit në mars (?!)
Shkurtimisht më pas, Mamaqi njoftoi një projekt të dytë kinematografik, “I love Tropoja,”me një tjetër aktore protagoniste, që porsi Elvana, vjen nga muzika: Enca Haxhia. Gjithashtu, “I love Tropoja” bëri goxha bujë me prezencën e Edi Ramës në listën e kastit. Nga ana tjetër, Bes Kallaku, i cili punonte prej vitesh për “Falco,” ka armë të fortë Bleonën, që po ashtu vjen nga muzika. Të tjera armë të forta të Kallakut janë edhe Olti Curri, Dritan Shakohoxha, Gianni de Biasi dhe kush e merr vesh kush tjetër.
E para këngëtare shqiptare që kaloi kufirin imagjinar mes muzikës dhe aktrimit ishte Çiljeta Çilaga, me rolin e Adës në “Ishte kohë për dashuri” (që është i plotë në YouTube nëse ju duhet).
Yje të tjerë të muzikës botërore si Eminem, Jared Leto, Justin Timerlake, 50 Cent, Rihanna, Madonna, Barbara Streissand, Beyonce dhe së fundi Lady Gaga, kanë qenë goxha të suksesshëm në filmat ku kanë marrë pjesë. Disa hasën sukses se ishin të zotët dhe disa shitën shumë bileta thjesht sepse ishin të famshëm. Se ç’fat do të kenë të famshmit tanë, do ta zbulojmë.