Në një artikull të publikuar tek “Lapsi.al”, shkruhej se degët e preferuara për të rinjtë shqiptarë, vijojnë të mbeten ato që lidhen administrimin, biznesin dhe ligjet. Përkthyer ndryshe, Fakulteti i Ekonomisë dhe Juridiku. Interes të lartë shihej gjithashtu për Shkencat Sociale, Gazetari dhe Informacion, por të “braktisura” siç mund t’i shihni janë shumë prej degëve që në një të ardhme të afërt, do të shndërrohen në më të kërkuarat!
Sigurisht, një pjesë e mirë e të rinjve i bëjnë zgjedhjet e tyre bazuar në ato fusha që premtojnë më shumë të ardhura, duke menduar “për një vend të sigurt pune”, por është koha për t'u bërë më largpamës!
1. Inxhinieri Mjedisi
Inxhinieria e Mjedisit sot nuk ka vëmendjen që meriton, por pas disa vitesh do të jetë një prej degëve më të kërkuara në vend. Gjithçka që ne bëjmë, lidhet me mjedisin dhe burimet e saj. Nevoja dhe problemet aktuale në botë që lidhen me klimën, do t’i “detyrojnë” njerëzit të ndërgjegjësohen dhe të menaxhojnë siç duhet resurset natyrore.
2.Inxhinieri Kimike
E njëjta indiferencë është treguar edhe për këtë degë, pa e ditur se sa e domosdoshme, e paguar dhe e rëndësishme do të jetë në të ardhmen. Pa inxhinierë kimikë, bota nuk do të mund të prodhonte, dizenjonte, transportonte dhe transformonte energjinë dhe materialet! Vlen për t’u përmendur gjithashtu se farmaceutika është një prej industrive më të fuqishme dhe më fitimprurëse aktualisht.
3. Fizikë
Sot, me shumë mundësi e konsideroni si zgjedhjen tuaj të fundit, (përveç atyre që e kanë patur pasion që herët), por rëndësia e kësaj dege po ndryshon ditë pas dite. Zbulimet e reja rreth ndikimit që ka fizika kuantike në proceset bioteknologjike dhe nanoteknologjike do të rrisin nevojën për specialista në këtë fushë, që është gjithashtu shumë e paguar!
4. Artet
Siç mund ta shihnit dhe nga renditja në tabelë, interesi për artet nuk është i lartë. Tregu është bosh, prodhimet në filma, seriale apo projekte të tjera artistike janë të pakta, por kjo po ndryshon dita ditës. Fillimet janë gjithnjë të vështira, por nevoja për krijmtari duhet të kapërcejë çdo pengesë.
5. Bioteknologji
Pse kjo do të jetë një nga degët më të kërkuara?! Po ju themi vetëm dy fjalë kyçe që përmbledh këtë fushë. Teknologji + Biologji! Njeriu sot është gjithnjë në përpjekje për të zhvilluar teknologjinë dhe produktet në mënyrë që jeta dhe shëndeti ynë të përmirësohen. Proceset biologjike tek mikroorganizmat kanë bërë të mundur prej 6000 vitesh që ne sot të konsumojmë ushqime bazike si buka apo djathi.
Bioteknologjisë moderne sot i duhet të sigurojë produkte dhe procese teknologjike për të shmangur sëmundjet e rralla, duke përdorur më pak energji dhe duke u kujdesur njëkohësisht për ndotjen e mjedisit.
6. Robotika
Sot mund të habiteni, por e vërteta është se e gjithë bota po shkon drejt një drejtimi të vetëm:Robotikës! Nga kjo shkencë, sot varen gjithë të tjerat, duke qenë se kemi arritur deri në pikën që puna e bërë prej njerëzve dikur, sot bëhet nga robotët.
7. Veterinaria
Kohët e fundit, njerëzit janë bërë më të ndërgjegjshëm dhe çdo ditë e më shumë shohin që zgjedhin të mbajnë kafshë në shtëpi. Një fenomen i tillë rrit nevojën për mjek veterinerë. S’duhet harruar gjithashtu që është një prej prej profesioneve më të paguara.
8. Infermieri / Mami
Edhe pse dekadën e fundit, ka patur një lloj interesi, ende këto degë shihin me skepticizëm nga një pjesë e mirë e të rinjve. Duke marrë parasysh sa shumë vende europiane si Gjermania dhe jo vetëm kërkojnë njerëz profesionistë në fusha si këto, kjo shkollë është padyshim një investim i duhur.
9. Gjenetika
Gjenetika merret me studimin e gjeneve, trashëgimisë dhe mutacioneve. Kjo shkencë do të jetë gjithnjë e lakmuar, por duhet pasur parasysh se studimi në këtë fushë, kërkon prirje të veçanta.
10. Turizmi
Një nga problemet më madhore në fushën e turizmit në vendin tonë, është keqmenaxhimi. Industria e Turizmit është një prej industrive më të rëndësishme të një vendi dhe duke qenë se dita ditës i kushtohet edhe më shumë rëndësi, lind nevoja për profesionistë *të vërtet në këtë fushë.
Turizmi është një nga burimet që kërkon më shumë vëmendje momentalisht dhe njëkohësisht më shumë studim!
*Këshillë: Çfarëdo lloj dege që të zgjidhni, mos harroni që është e domosdoshme mësimi i një gjuhe të huaj. Sigurohuni të masterizoni gjuhën e bizneseve, anglishten dhe s'do të ndiheni kurrë të lënë në baltë. Një "byrzylyk" po kaq i rëndësishëm në dorën tuaj do të ishte gjermanishtja dhe gjuha e së ardhmes, gjuha kineze!