KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Hostel by Anabel

Çudira të reja: Dalina Buzi tregon ç'do të ndodhë me sezonin 3 të 'Hostel by Anabel' dhe #LLT

Shkruar nga Anabel

10 Tetor 2019

Hostel by Anabel do të shndërrohet në një aventurë të jashtëzakonshme dhe #Love#Likes#Tirana ka një spin-off shumë më të madh. Për më tepër, lexoni intervistën me Dalina Buzin, krijuesen dhe producenten ekzekutive të “Hostel by Anabel” dhe #Love#Likes#Tirana.

Çdo ditë në inboxin e Anabel në Facebook apo në faqen tonë në Instagram @anabel_hostel, ka njerëz që pyesin se kur fillon. Kur them çdo ditë, nuk e ekzagjeroj.

Dhe në fakt është e çuditshme, sepse ne mbaruam në fund të qershorit, pra nuk kanë kaluar as tre muaj, por njerëzit e llogarisin kohën, me kohën e programeve televizive të cilat e mbyllin sezonin në qershor dhe e rinisin në shtator. Por ne nuk jemi me axhendë televizioni dhe për më tepër, prodhimet tona janë shumë impenjative nga ana krijuese dhe kërkojnë një kohë më të madhe brainstorming dhe produksioni.

Atëherë kur do të transmetohet zyrtarisht?

Nuk ka një datë të saktë, por mendoj që do të jemi gati në fund të janarit, 2020. Mos të tremben njerëzit nga viti, se 2020 tingëllon si film futuristik, por është vetëm 3 muaj larg dhe muajt ecin shumë shpejt.

Do të ketë ndryshime këtë sezon në “Hostel by Anabel”?

“Hostel” këtë sezon do të jetë një aventurë e jashtëzakonshme e Megit, Deas, Violës, Anës dhe Albertës, një reality show ku përzihet realiteti me satirën. Në fakt satira është edhe kryefjala e këtij sezoni, frymëzuar edhe nga situata në vend, me dëshirën e mirë për të ndihmuar dhe emancipuar brezin e ri.

Çfarë do të ndodhë realisht?

Kjo mbetet sekret, jam shumë superticioze deri sa të kem në dorë të mbaruar serinë e parë, por do t’ju them që ka për të qënë diçka shumë inovative në koncept, me shumë humor, por edhe me shumë të vërteta brenda.

Po çfarë ju ka frymëzuar, të paktën mund të na i thuash?

I fundit që i vuri vulën ishte Albin Kurti. Por kaq.

Po me #Love#Likes#Tirana çfarë do të ndodhë?

Për këtë mund t’ju them më shumë. Mini-seriali, në sezonin e kaluar u vendos rastësisht brenda një programi, duke qënë se ne nuk e parashikonim të bëhej aq impenjues, sepse natyrisht ai qëndronte fare mirë edhe vetëm. Këtë sezon pjesa “Me Provë”, pra aventura reality e vajzave dhe Anabel Lab do të shkëputet nga seriali, i cili këtë vit është industri e rëndë.

Në ç’kuptim?

Sezoni i dytë do të jetë në fakt një spin-off nga sezoni 1 i #LLT, ku personazhet kryesore do të ruhen, por ata do të përfshihen në ngjarje shumë më të mëdha, që nuk prekin vetëm lidhjet romantike, por edhe fusha të tjera të të përditshmes sonë. Çdo seri do të jetë 45 minuta dhe nëse realizohet ashtu siç e kam në kokë, mendoj që do të jetë seriali i parë i mirëfilltë shqiptar në nivelin e serialeve ndërkombëtare.

Kur thua “do të prekin fusha të tjera”, do të bëhet më serioz?

Në fakt, ndodh një gjë e çuditshme kur shkruan për realitetin e sotëm, sepse ndërsa shkruaj, unë si skenariste bëj edhe kërkime, lexoj gjithë kohës, informohem dhe rrjedhimisht marr ngarkesën e realitetit. Ky realitet, sado të mundohem ta zbukuroj, ka edhe shumë drama brenda, për të cilat s’ka nevojë të flas, sepse të gjithë i dini shumë më mirë. Disa drama për shembull padrejtësie, janë bërë aq pjesë e të përditshmes sonë, sa i kalojmë me humor, qeshim me to dhe drama të tjera, gjithmonë të çojnë në një vend shumë të errët brenda teje dhe është e pamundur të gjesh humor tek to. Kështu është konceptuar dhe seriali. Ka plot skena për humor e meme, siç ka edhe skena kur ti vërtet prekesh, nervozohesh, tronditesh etj.

Kur thua “spin-off” do të thotë që nuk do të quhet më #Love#Likes#Tirana?

Po. Momentalisht titulli provizor është “Çmimi i dashurisë” edhe pse nuk jam shumë e sigurt për këtë titull (qesh). Në një vend ku shitja dhe blerja e shpirtit është bërë e zakonshme, çfarë nuk blihet dot? Është pyetja. Është një serial që vë në pikëpyetje shumë tema që nga dashuria, lidhja me të kaluarën, marrëdhënia i pasur-i varfër, pse jemi këta shqiptarë që jemi sot dhe ajo që unë e kam shumë të rëndësishme: Marrëdhënia me familjen.

Në këtë shtjellim të ri, je frymëzuar diku veçanërisht?

Në fakt spunton e kam marrë nga seriali “Stranger Things” që e dua shumë, por nuk ka asnjë lidhje me të, sepse nuk është fantashkencë si ST. Në këtë serial të Netflix, 5 fëmijë zbulojnë botën “Upside down”, një dimension të ri, shumë të errët paralel me botën e tyre.

Edhe në serialin e ri, Zoi, Luna, Lina, Erioni, Irisi dhe Xheni, 6 njerëz të cilët përpiqen të kenë një jetë sa më normale në Shqipëri, me biseda normale si dashuria, rritja e rrogës, tatimet, shkolla, puna, papritur përballen me një dimension tjetër të errët të realitetit shqiptar, që i shtyn të vënë në diskutim moralin dhe dashurinë. Ne jemi të gjithë njerëz të mirë, kur nuk ndodh asgjë dhe s’kemi asgjë në dorë, por kush jemi në rast se na cënohet interesi? Kush jemi ne në rast se fitojmë pushtet?  Ne jemi të aftë të skanojmë një njeri e t’i gjejmë problemet kur nuk e duam, por kur biem në dashuri me të? A jemi të gatshëm ta pranojmë siç është? Pra, janë shumë pyetje që lindin nga përballja e dy realiteteve.

45 minuta dhe me këtë lloj tematike më të zgjeruar, do të vazhdojë sërish në Youtube?

Normalisht, duhet të jetë për Netflix (qesh). Besoj në televizion, apo në një platformë. Ne duam që këtë serial ta shohin si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni dhe diaspora. Të gjithë do e gjejnë veten.

Do të ketë personazhe të rinj?

Patjetër që do të ketë shumë personazhe të rinj dhe sapo kemi nisur kasting. Këtë rradhë mendoj që përveç gocave tona që unë besoj i menaxhuan me sukses personazhet e tyre dhe këtë vit do të jenë akoma më mirë, sepse tashmë kanë nisur edhe nga kurset e aktrimit për përmirësim, personazhet e tjerë do të jenë aktorë profesionistë.

Po seriali kur mendohet të nisë?

Nuk jam shumë e shqetësuar për datën, sesa jam e shqetësuar që të dalë vërtet një gjë shumë e mirë, që nga koncepti, pra skenari, të cilin e kam rishkruar shumë herë (qesh), fotografia, audio, aktrimi, regjia e deri tek kostumografia. Nuk besoj se më nxiton diçka dhe dua që të kem gjithë kohën e duhur që ta bëjë jo më aq mirë sa mundësi kam, por më mirë sesa do e mendoja se do ta bëja. Të shohim.

Ke frikë se njerëzit nuk do ta përqafojnë formatin e ri të Hostel dhe faktin që #LLT do të mungojë?

Çdo gjë e bërë mirë, do të përqafohet. Ne njerëzit nuk i tradhtojmë, thjesht përpiqemi që të përmirësojmë veten tonë fillimisht e t’u sjellim atyre një produkt edhe më të mirë. Ajo çfarë duam t’i sjellim këtë radhë, na besoni do të jetë më e mira e këtyre tre viteve, por si çdo gjë e mirë, edhe pse aftësia jonë është ta bëjmë të duket e lehtë në ekran, është realisht shumë e vështirë në realizim dhe kërkon një punë të jashtëzakonshme. Ndaj njerëzit të kenë pak durim, sepse gjërat e mira vonojnë, por kur vijnë, do ua mbushin ditën e javët, siç dy sezonet e mëparshme të “Hostel by Anabel” e kanë bërë.

MOS I HUMBISNI