KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Art & Libra

Pas skandalit të vjetshëm, sot do të jepen dy çmime Nobel në Letërsi

Shkruar nga Anabel

10 Tetor 2019

Sot (e enjte 10 tetor 2019), do të jepen dy çmime Nobel në letërsi, ndikuar nga skandali seksual që shtyu me një vit ceremoninë e 2018-s.

Ndër të preferuarit janë Margaret Atwood, autore e The Handmaid’s Tale, poetja Anne Carson, romancierja Maryse Conde, autori japonez Haruki Murakami dhe shkrimtari nga Kenia, Ngugi wa Thiong’o.

Akademia Suedeze, themeluar në 1786-n, do të bëjë një zgjedhje pa rrezik këtë vit sepse po përpiqet të rindërtojë imazhin pas skandalit të vjetshëm që nxorri në pah ngacmimet seksuale, zënkat e tmerrshme, konfliktet e interesit dhe sekretet që 18 anëtarët i mbanin njëri-tjetrit. Këta 18 anëtarë kanë mandate të përjetshme dhe konsiderohen si gardianët e kulturës në vend.

Poetja Katarina Frostenson ishte një ndër shtatë anëtarët e akademisë që u largua pasi bashkëshorti i saj, Jean-Claude Arnault, u akuzua si përdhunues dhe se kishte bërë publikë emrat e fituesve plot shtatë herë. Akademia nuk binte dakord mbi mënyrën si do të menaxhohej situata.

Frostenson dhe Arnault zotëronin një klub kulturor në Stokholm që financohej pjesërisht nga akademia. Aty, Arnault kreu disa prej krimeve. Momentalisht, ai ndodhet në burg, i dënuar për përdhunim.

Që atëherë, akademia ka bërë ndryshime që premtojnë të përmirësojnë transparencën. Tashmë, anëtarët lejohen të japin dorëheqjen, gjë që s’e bënin dot më parë. Gjithashtu, janë emëruar shtatë anëtarë të rinj dhe profesori i respektuar i letërsisë, Mats Malm, mori përsipër postin e sekretarit të përhershëm, që më parë mbahej nga Sara Danius.

Është thuajse e sigurt që një nga fituesit do të jetë grua, shkrimtaret polake Olga Tokarczuk dhe Hanna Krall, Han Kang nga Korea e Jugut, amerikania Joyce Carol Oates dhe romancierja ruse Lyudmila Ulitskaya përmenden si favorite këtë vit. Që nga viti 1901, vetëm 14 nga 114 laureatë kanë qenë gra.

Për artikullin e përditësuar, klikoni këtu.

MOS I HUMBISNI