Çfarë po ndodh rreth nesh

Historia misterioze e shqiptarit që për 1 dekadë tmerroi Anglinë

Shkruar nga Anabel

25 Shtator 2019

Historia misterioze e shqiptarit që për 1 dekadë tmerroi

Në Wimbledon, qytezën e kampionatit prestigjoz të tenisit, emri i shqiptarit Astrit Kapaj nuk është aspak i panjohur, përkundrazi. Për dhjetë vite me radhë, ai u kthye në tmerrin e banorëve për shkak të grabitjeve masive në lagjet e pasura të qytezës. Në mediat angleze, ai etiketohej si “grabitqari i Wimbledon-it”. Kapaj thuhet se arriti që në dhjetë vite, të vidhte rreth £10,000,000 ose afërsisht 13.7 miliardë lekë.

Kapaj nuk përzgjidhte banorë të thjeshtë, por emra të njohur si tenisti i famshëm Boris Becker apo futbollisti Nicolas Anelka. Pamjet e para të vjedhjeve të shqiptarit nga Vlora u publikuan në mars të 2016-s, ndonëse prej kohësh mendohej se kishte kryer më shumë se 200 vjedhje.

Asokohe, askujt nuk i shkonte ndërmend se një burrë rreth të 40-ave, i veshur thjesht, me kapele peshkatari, do të kryente disa nga vjedhjet më misterioze me të cilat është përballur policia britanike. Të gjendur në vështirësi, misionet e policisë për të identifikuar burrin e maskuar me kapele peshkatari, dështonin vazhdimisht. Ai zhdukej nga sytë këmbët.

“Për vite me radhë, nëpër shtëpinë e Wimbledon-in, zhdukeshin gjëra në mënyrë misterioze, por nuk kishte kurrë shenja dhune,” u shpreh Laurie Porter, koordinatore e komunitetit vendas, për “Top Story”. “Nëse dikush linte unazën në lavaman, ajo zhdukej. Nisën dyshimet për shërbyeset, kopshtarët, shoferët. Shumë njerëz humbën punën.”

I njohur si burri me të zeza, Kapaj nuk ishte kapur kurrë nga policia, ndonëse kamerat e sigurisë e kishin filmuar disa herë. Madje disa banorë e gjetën brenda shtëpisë, por ia doli të arratisej. I vetmi qëllim i tij ishte grabitja me gjakftohtësi të plotë, pasi në asnjë rast nuk përdori dhunë. Ai largohej pa lënë gjurmë, sa shumë familje e kuptuan tepër vonë se ishin grabitur.

“Shkova të merrja stolitë dhe kutia ishte bosh. Hapa një tjetër dhe ishte bosh. Edhe një tjetër. Kutitë ishin vendosur të gjitha siç i kisha lënë unë në kasafortë,” tha një viktimë e vjedhjeve të vlonjatit, Sara Jane Holden. “Nuk kisha vënë re asgjë të çuditshme. Nuk e dimë sa herë ka mundur të hyjë në shtëpi, por në një mënyrë a tjetër ia ka dalë të gjejë çelësin me të cilin përdorej kasaforta.”

Në një rast, “grabitqari i Wimbledon-it” u ndoq nga futbollisti Anelka, që njihet si vrapues i zoti, por sërish ia doli t’ia hidhte paq. Ndër të tjera, Kapaj, me profesion elektriçist, arrinte të neutralizonte sistemet e alarmeve dhe sigurisë teksa tentonte të vidhte.

Koordinatorja e komunitetit të Wimbledon-it theksoi se kur grabiste, Kapaj i vendoste sendet në të njëjtin vend siç ishin. “Nëse kishte foto përreth, ai i lëvizte dhe i kthente në të njëjtin vend siç ishin më parë.”

Stephen Wright, reporter i “Daily Mail”, tha për “Top Story” se pavarësisht faktit se veprimet e tij nuk kanë asgjë për t’u lavdëruar, aftësitë e tij ishin të habitshme. “Ishte i kujdesshëm për të mos lënë gjurmë, nga shenjat e gishtave e deri te ADN-ja. Qëndronte i maskuar dhe me kapuç.”

Sipas Wright, Kapaj nuk ishte një grabitës i zakonshëm që rastis të kalojë para shtëpisë, përkundrazi. Prej kohësh, ai analizonte dhe studionte me imtësi shtëpitë e shënjestruara. Për të, është i çuditshëm dhe interesant fakti që kthehej te i njëjti vend ku kishte grabitur më parë.

I sigurt për lagjen e Wimbledon-it, Kapaj ndoshta nuk e kuptoi rrezikun nga policia, e cila po përdorte shumë para dhe burime për ta kapur. Banorët u mblodhën dhe vendëson kamera gjithandej, drita që aktivizoheshin nga lëvizjet, alarme të shumta për natën etj. Por as këto nuk e penguan Kapajn.

Koordinatoja e qytetit u shpreh së në disa raste, ai futej në shtëpitë e banorëve në kohën kur kishte njerëz brenda, sepse alarmet nuk ndizeshin. “Kishte raste kur njerëzit shihnin tv, ndërkohë që ai ishte në katin e sipërm duke vjedhur.”

Katër vite më parë, policia theksonte se as nuk i ishte afruar sadopak gjurmëve të tij. Nuk linte shenja, çaktivizonte alarmet dhe shfaqej në shtëpi të shumta duke vjedhur. Njerëzit jetonin me frikë se mos "grabitqari" ndodhej në shtëpi në të njëjtën kohë me ta.

Në një tjetër rast, teksa u fut për të grabitur diku, përdori një daltë për të hapur derën e kopshtit dhe më pas shkoi te garazhi, mori bojë të kuqe dhe riparoi dëmin që kishte shkaktuar në derë. Po kështu, një tjetër “trofe” i tij ishte një orë Rolex Submariner e vitit 1955 me një vlerë £500,000.

Pasi u arrestua, mediat zbuluan se Kapaj jetonte në Angli prej 15 vitesh, ishte i martuar dhe me dy fëmijë si edhe kishte punuar më parë si bojaxhi dhe eletriçist. Por për habinë e policisë, ai jetonte 300 km larg vendit ku grabiste. Targa e makinës u kap nga kamerat e sigurisë dhe shërbeu si element kyç për policinë në mënyrë që të mbërrinte në gjurmët e tij në shkurt.

Në vendin ku jetonte dhe ishte pronar i një restoranti të vogël, njerëzit e njihnin si njeri të mirë, familjar dhe tepër të sjellshëm. Bashkëshortja e tij nuk pranoi të prononcohej për “Top Story”.

Reportori Stephen Wright udhëtoi drejt fshatit Gjorm në Vlorë, ku ka lindur Kapaj. Famijarët nuk ishin në dijeni të jetës së tij. I vëllai, dinte vetëm që punonte në restorant dhe kaq. Shumë prej banorëve të fshatit e njohin si djalë të urtë, të sjellshëm dhe shumë të dashur. I rritur më vështirësi, pasi i ati ndërroi jetë shpejt, ndërsa nëna kishte probleme në të folur, Astriti dukej i ndrojtur. Ata njiheshin në zonë si familje e persekutuar dhe tepër e varfër.

Pas udhëtimit në Shqipëri, reporteri i “Daily Mail” pa se asnjë prej parave të tij nuk kishte mbërritur në Shqipëri – nuk kishte prona dhe pasuri të tjera që mund ta vërtetonin një gjë të tillë.

Përpara gjykatës në Londër, Kapaj, pa asnjë precedent penal, pranoi se ishte ai personi që kishte vjedhur paratë dhe stolitë e pasanikëve britanikë.

Gjykata mendon se shuma e sendeve dhe parave të vjedhura arrin në £10,000,000, por avokati i Kapajt e hodhi poshtë një pretendim të tillë duke pyetur: “Nëse është e vërtetë, ku janë sot paratë?”.

Astrit Kapaj u shpall fajtor dhe u dënua me 14 vite burg, masë që habiti jo pak familjarët dhe banorët e zonës. Banorët janë të mendimit se dënimi i ashpër është vendosur edhe për gjithë ndjenjën e ankthit dhe frikës që ka shkaktuar në zonë. Stephen Wright gjithashtu këmbëngul se është masë e ashpër ndaj grabitësve, por arsyeja lidhet me shumën dhe kohën e grabitjes. I vëllai i Kapajt shton se një masë e tillë është marrë edhe për shkak të faktit që është shqiptar.

Fotografi dhe producenti i njohur Ian Pelham Turner thotë se ka disa mospërputhje në mënyrën si u trajtua rasti i tij. Fakti që mediat e quajtën “grabitqar” e përcaktuan në një tjetër lloj kriminaliteti, që Kapaj duket se nuk e ka. Ai qe grabitës, hajdut, jo grabitqar. Në anglisht, sipas Turner, grabitqar përdoret si term kur dikush dhunon ose sulmon dikë. Kapaj nuk shfaqi asnjë shenjë dhune.

Për producentin, 14 vite burg për grabitje janë shumë. “Nuk e di pse u dënua kaq, por zakonisht dënimi për grabitje shkon nga 5 deri në 7 vite burg.”

Termi “grabitqar” u përdor në shumë raste gjatë gjykimit, ndonëse siç e thamë ai nuk u përball kurrë fizikisht me viktimat e tij, madje banorët thonë se “nuk ndiheshin të frikësuar për jetën”. “Nuk ndihesha e pasigurt, ndihesha si e pështjelluar. Dua të them sigurohesha që shtëpia të ishtë mbyllur mirë,” tha Sara Jane Holden.

Pavarësisht pretendimeve se kreu mbi 200 vjedhje me vlerë £10,000,000, Kapaj u dënua për 22 vjedhje me vlerë totale rreth £497,000.

Në asnjë moment, ai nuk ka thënë se ku kanë shkuar paratë dhe stolitë. Duket se policia është sërish në kërkim të të njëjtit person, këtë herë për të zbuluar se ku janë paratë.

Videon e plotë e ndiqni në vijim: