Fill pas publikimit disa orë më parë, traileri i “Frozen 2” u kthye në videon #1 në Trending në YouTube, duke përfshirë këtu edhe vendin tonë. Në videon prezantuese, Elsa (Idina Menzel) dhe Anna (Kristen Bell) janë në një mision për të zbuluar misterin e fuqive të Elsa-s dhe për të shpëtuar shtëpinë e tyre nga një tjetër kërcënim.
“Pse Elsa lindi me fuqi magjike? Përgjigjja po e thërret dhe po kërcënon mbretërinë e saj,” shkruhet në postimin zyrtar të Disney-t.
Ndryshe nga ç’jemi mësuar përgjithësisht nga filmat e animuar dhe nga pjesa e parë e “Frozen”, seria e dytë është shumë më dramatike dhe ngjason me një film aksion. Këto janë elemente që njerëzit në Twitter po i vlerësojnë së tepërmi. Një pjesë e tyre e krahason protagonisten me Daenerys Targaryen nga “Game of Thrones”.
“Frozen 2: sekrete të errëta, e shkuar misterioze, mbretëria është në rrezik, Elsa ecën në zjarr!!” shkruan dikush. “E thashë dhe do ta them sërish, Frozen 2 duket 10 herë më mirë se pjesa e parë, sepse është shumë më tepër se një film me princesha. Ka shumë aksion,” lexohet në një tjetër koment.
“Frozen 2” do të dalë në kinema më 22 nëntor dhe është një vazhdim i filmit të parë që doli në vitin 2013 duke u bërë filmi më me fitime i të gjitha kohërave në llojin e vet. Disney njoftoi në 2015-n se do të kishte një seri tjetër, puna për të cilin nisi në 2017-n.
Shtojmë se Frozen fymëzoi një lëvizje të re pak kohë më parë, #GiveElsaAGirlfriend. Njerëzit kërkonin që ajo të dashurohej me një vajzë në pjesën e dytë. Gjithçka nisi nga fabula e filmit të animuar: Sekreti i Elsës konsiderohet i rrezikshëm nga familja, e cila e detyron atë ta mbajë të fshehur duke e mbyllur, në pjesën më të madhe të kohës, në dhomën e saj. “Conceal it, don’t feel it” (Fshihe, mos e ndiej!) është një varg i kolonës zanore të interpretuar nga Idina Menzel “Let It Go”, fituese e çmimit Oscar si “Kënga më e mirë origjinale”.
Gati një vit më parë, shkrimtarja dhe regjisorja Jennifer Lee u shpreh e hapur ndaj idesë se Elsa mund të jetë lesbike, megjithatë ngelet për t’u parë.