Muzika

A e vodhi Lady Gaga këngën ‘Shallow’?

Shkruar nga Anabel

10 Gusht 2019

A e vodhi Lady Gaga këngën ‘Shallow’?

Kënga e famshme e filmit “A Star is Born” – e cila fitoi një Oscar, një Golden Globe, një Critics' Choice Award dhe
dy Grammy – thuhet se është e vjedhur. Sipas Page Six, kënga e realizuar nga Lady Gaga në bashkëpunim me Mark Ronson, Bradley Cooper, Anthony Rossomando dhe Andrew Wyatt, është e vjedhur nga një artist në SoundCloud me emrin Steve Ronsen.

Kënga e këtij të fundit quhet “Almost” dhe u publikua shtatë vite më parë. Një pretendim i tillë është i çuditshëm pasi këngët nuk kanë ngjashmëri as në tekst dhe as në muzikë.

Ronsen e bazon çështjen te një pasazh i përbashkët (G, A dhe B për ata që kanë prirje në muzikë).

Përfaqësuesit e Gaga-s reaguan duke theksuar se G-A-B është shumë e zakoshme në muzikë dhe daton prej shekujsh. Një burim tha për Cosmopolitan se Lady Gaga është tepër e zemëruar nga një pretendim i tillë dhe “synon ta çojë çështjen deri në fund”.

“Zoti Ronsen dhe avokati i tij po përpiqen të fitojnë para të shpejta në kurriz të një njeriu të suksesshëm. Është e turpshme dhe e gabuar. E përgëzoj Gaga-n që pati guximin për të reaguar në emër të të gjithë artistëve të suksesshëm që e gjejnë veten përballë pretendimeve të tilla. Lady Gaga do të luftojë,” u shpreh avokati i saj.

Nga ana tjetër, avokati i Ronsen tha për Page Six se janë këshilluar me një muzikolog – ekspert në studimin e muzikës, jo domosdoshmërisht muzikant – dhe kanë dalë në përfundime të tilla. “Ekipi i Lady Gaga-s nuk na kanë ofruar ende një raport të kundër të realizuar nga një muzikolog, ndonëse e kemi kërkuar disa herë,” shtoi ai.

Por pala tjetër pretendon të kundërtën. “Ne i dërguam një raport të muzikologëve të shumtë dhe të gjithë nuk gjetën asnjë të përbashkët midis këngëve.”