Në historinë 3-vjeçare të Sunny Hill Festival, kanë marrë pjesë artistë të shumtë, përfshirë këtu edhe ata me famë ndërkombëtare. Këtë vit, nisur nga deklarata e Dukagjin Lipës një vit më parë në Kosovë, pritej që të performonin Bebe Rexha dhe Rita Ora. Lista përfundimtare u bë publike dhe asnjë prej tyre nuk do të jetë në festival.
Në një intervistë për RTK, ai tregoi se u ka dërguar ftesë Ritës dhe Bebes, por asnjë prej tyre nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.
“Duam që ky festival të ketë jetë të gjatë dhe të mbahet çdo vit, kështu që në çdo edicion të sjellim artistë të ndryshëm. Vitin e ardhshëm do ta ftojmë edhe Rita Orën e Bebe Rexhën”, u shpreh Dukagjin Lipa një vit më parë.
“Kemi shumë dëshirë për të patur shumë artistë të tjerë. Kemi qejf të kemi Rita Orën, Bebe Rexhën, Era Istrefin e shumë e shumë artiste shqiptare që kanë lënë gjurmë në botë”, shtoi Dua asokohe.
Por ndonëse këtë vit këngëtareve iu bë ftesa, asnjë prej tyre nuk pranoi. Një arsye mund të lidhet me angazhimet e shumta të dy artisteve, por nuk përjashtohen – për Ritën bëhet fjalë – tensionet e së kaluarës.
Marrëdhënia mes Rita Orës dhe Dua Lipës është përfolur gjatë dhe me të drejtë. Të dyja vajzat janë me origjinë nga Kosova dhe kanë kaluar në të njëjtën rrugë për të arritur këtu ku janë. Flasin gati në çdo dalje publike për prejardhjen e tyre dhe me siguri duhet të jenë takuar, sepse jetojnë në të njëjtin qytet. Në mos me dashje, edhe rastësisht do ishin ndeshur rrugëve. Por jo, nuk janë takuar kurrë.
Dua në një intervistë për një media zviceriane kohë më parë foli shumë shkurt rreth Ritës. “Çdokush që vjen nga Kosova më bën krenare,” u shpreh ajo në vija të përgjithshme. “Kemi të njëjtën origjinë. Fatkeqësisht ende nuk e kam takuar. Zakonisht nuk krahasohem me të.”
Nga ana tjetër, në një konferencë për shtyp me rastin e Pavarësisë së Kosovës një vit më parë, Rita, e pyetur nëse do t’i shohim ndonjëherë të treja shqiptaret bashkë në Kosovë, u shpreh: “E di që jemi të treja shumë të zëna. Pata shansin të takohesha me Beben në New York dhe ajo është tani një nga shoqet e mia më të mira. Është e paparë, shumë argëtuese. Ndërsa nuk kam patur rastin ta takoj Duan, kemi qenë shumë të zëna. Ajo po bën turin e saj dhe unë po bëj turin tim. Por kurrë mos thuaj kurrë. Unë jam këtu dhe jam e gatshme që të tjerët të bashkohen.”
Të dyja artistet kanë qenë pjesë e disa eventeve bashkë. Për shembull tek ceremonia e BBC Radio 1 Teen Awards 2017 Rita Ora ishte prezantuese dhe performoi, Dua Lipa po ashtu. As në prova s’u takuan. Pastaj të dyja patriotet ishin tek Grammys, në të njëjtin vend. As atje nuk u takuan. Mund të jetë vërtet rastësi, por të dyja as nuk e ndjekin njëra-tjetrën në Instagram.
Burime për “Jo Vetëm Modë” treguan ca kohë më parë se vërtet ka një konflikt mes të dyjave. Dua i ka kërkuar në fillimet e saj ndihmë Ritës që t’i jepte një dorë për ta ngritur në muzikë, por Rita nuk ka pranuar ta ndihmojë.
Kujtojmë që në shkurt të 2018-s, për të festuar renditjen në vend të tretë në listën e artisteve femra më të suksesshme në iTunes dhe Spotify, Rita fshiu emrin e Dua-s, që qëndronte një shkallë më lart, në vend të dytë. Ajo mund ta kishte shmangur një gjest të tillë, mbi të gjitha sepse të dyja përfliten prej kohësh për një marrëdhënie armiqësore, por nuk i interesoi fare.
Përsa i përket festivalit, të ardhurat e fituara nga biletat e shitura shkojnë për “Sunny Hill Foundation”, që u themelua rreth 3 vite më parë. Ceremonia hapëse e tij u organizua përmes koncertit që këngëtarja mbajti në Prishtinë më 9 gusht ku premtoi se gjithë të ardhurat do të shkonin për bamirësi. Në gusht të vitit të kaluar, Sunny Hill Foundation dhuroi 100,000 euro për bamirësi, evente kulturore dhe shkolla të muzikës në Kosovë.