
Ky është Naim Frashëri, një ndër poetët dhe shkrimtarët më të shquar të Rilindjes Kombëtare, ndryshe i njohur si “bilbili i gjuhës shqipe.” Por ju i dini këto, me siguri.

Ky është gjithashtu Naim Frashëri, aktor nga Leskoviku. Ka interpretuar në filma si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur,” “Trimi i mirë me shokë shokë, “Tartufi,” “Orët e Kremlinit” etj.
Këta Naimë janë një nga dyshet shqiptare që ndajnë të njëjtin emër.

Agim Shehu, shkrimtar, studiues i gjuhës dhe letërsisë nga Pogradeci. Njihet për vepra si “Horizonti i kaltërt,” “Vite pa thinja,” “Fjalë nga zemra,” Ujvarat e diellit” etj. Autori u persekutua për dhjetë vite në Metalurgji dhe këtë periudhë e ktheu në një autobiografi të titulluar “Rruga për te vdekja.”

Shkrimtari ndan të njëjtin emër me Agim Shehun, ish-drejtorin e Policisë së Shtetit në vitin 1997. Ky i fundit u akuzua për dezertim dhe qëndroi nëntë vjet jashtë vendit. Ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lartë dhe u la i lirë. Në vitin 2006 u rrëzua çdo akuzë ndaj tij dhe shkurtimisht më pas u emërua në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ai e la postin në 2013-n.

Enver Hoxhaj, Ministër i Punëve të Jashtme në Kosovë, ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, në Universitetin e Vjenës dhe London School of Economics. Ka shërbyer edhe si Ministër i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe si kryetar i Komisionit për Arsim, Kulturë e Rini në Kuvendin e Kosovës.

Politikani ndan të njëjtin emër me diktatorin famëkeq të Shqipërisë, Enver Hoxhën.

Eksperti i ekonomisë Artan Hoxha është ndoshta më pak i njohur se adashi i tij. Në 20 vite karrierë, Artan Hoxha ka qenë Ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Eknomik, drejtor e president i Institutit të Studimeve Bashkëohore, anëtar i Këshillit të Administrimit të Univeristetit të Tiranës etj. Ka kontribuuar në përgatitjen e politikave, strategjive e ligjeve të lidhura me reformat ekonomike dhe insititucionale. Ai është gjithashtu opinionist i njohur në mediat vendase për sa i përket çështjeve ekonomike, ligjore, politike.

Ndërsa këtë Artan Hoxhë e njihni nga daljet e shpeshta në media. Gazetari investigativ mbulon dhe heton prej vitesh mafian vendase dhe lidhjet e saj me pushtetarët. Si rrjedhim, kërcënohet shpesh me jetë dhe atij vetë i bën çudi si është ende gjallë.

Luan Rama, kineast, studiues arti, publicist, shkrimtar e ambasador i Shqipërisë në Paris (1991-1992) dhe diplomat kulturor i Shqipërisë (1997-2001). Ai u diplomua për Gazetari në Universitetin e Tiranës dhe u profilizua në Arte Audiovizuale e Kinematografi në Unviersitetin “Denis Diderot” në Paris. Luan Rama është skenarist i katër filmave të realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re,” nga të cilët vlen të përmendet “Vajzat me kordele të kuqe.”

Luan Rama, politikan, deputet, është diplomuar për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka punuar kronologjikisht si redaktor, zëvendëskryeredaktor dhe kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit,” ka qenë deputet i Kuvendit, ministër në disa ministri. Momentalisht shërben si zëvendës kryetar i LSI.

Gashi, në të vërtet quhet Labinot Gashi, lindur në Libi nga dy prindër shqiptarë. Pas shpërnguljeve të shumta në Europë, familja e tij u vendos përfundimisht në Amerikë, ku hoqi dorë nga kolegji pas vitit të parë dhe vendosi të fokusohej te muzika. Tani është një ndër artistët shqiptarë me famë ndërkombëtare më të suksesshëm.

Labinot Gashi, ndryshe i njohur si Labi, është producent dhe moderator nga Kosova, i njohur veçanërisht për “1 kafe me Labin.” Dhjetorin e vjetshëm, ai dhe bashkëshortja e tij, Qëndresa, u bënë prindër të një vajze që e quajtën Rroa.

Ervin Bushati është deputet i Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 201, si dhe anëtar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Ai shtë diplomuar në Universitetin “DePaul” në Chicago. Ai është themelues i kompanisë Bushati Konstruksion.

Ndërsa ky Ervin Bushati është këngëtar që në adoleshencë. Ka studiuar për kanto në Lice dhe ka marrë pjesë në Festivalet RTSH në moshën 17-vjeçare. Bushati ka qenë lider i gurpit Mister, ndërsa sot këndon si solist.