Kosova

Kërkohet nga Gjykata Speciale në Hagë: Ramush Haradinaj jep dorëheqjen

Shkruar nga Anabel

19 Korrik 2019

Kërkohet nga Gjykata Speciale në Hagë: Ramush Haradinaj jep

Përmes një deklarate për mediat, Ramush Haradinaj njoftoi dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës. Shkak është bërë një ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë për të realizuar një intervistë. “Nuk jam i akuzuar, po intervistohem,” theksoi ai në deklaratën për mediat.

Haradinajt i është bërë ftesa për t’u paraqitur në Gjykatë si kryetar i qeverisë së Kosovës ose si qytetar i thjeshtë, ndaj ai ka vendosur të mos paraqitet si kryeministër. “Nuk mund të paraqitem si kryetari i qeverisë sepse do t’i rëndoja Kosovës, ndaj kam marr këtë vendim”.

Çfarë është Gjykata Speciale?

Krimet e luftës në Kosovë që nga viti 1999 janë trajtuar në mënyra të ndryshme nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Fillimisht u trajtuan nga administrata e Kombeve të Bashkuara si edhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi me seli në Hagë, Hollandë.

Po kështu u trajtuan edhe nga EULEX, por më vonë (deri tani) krimet e luftës u morën përsipër nga Dhomat e Specializuara të njohura si Gjykata Speciale.

Gjykimi për krimet e luftës në Gjykatën e Hagës

Pasi shërbeu 100 ditë si kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen në vitin 2005 pasi u padit për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë duke pretenduar se Haradinaj kreu krime kundër njerëzimit. Ai më pas u lirua në prill të 2008-s për mungesë provash.

Gjykimi i dytë ndodhi në gusht të 2011-s dhe në nëntor të një viti më pas, Haradinaj u shpall i pafajshëm për herë të dytë.

Po kështu ai u arrestua në janar të 2017-s me urdhër të Serbisë pas mbërritjes në kufi të Francës. Autoritetet serbe kërkuan ekstradimin e tij me akuzën e “torturës, vrasjes dhe përdhunimit të civilëve serbë”, por Gjykata Franceze hodhi poshtë akuzat dhe e liroi.