Çfarë po ndodh rreth nesh

Kush ishte Dr.Flori

17 Nëntor 2014

Kush ishte Dr.Flori

Florian Kondi, ose siç njihet nga publiku Dr. Flori, ka lindur më 29 Shkurt 1979 në Tiranë. Në vitin 1996, ndërkohë që ishte në shkollë të mesme, ai sëbashku me Landin dhe Mirin krijojnë grupin West Side Family. Grupi rezultoi shumë i suksesshëm atë kohë pasi rryma hip-hop dhe rrep sapo kishte filluar të njihej në Shqipëri e të pëlqehej shumë nga të rinjtë. Tre djemtë sëbashku krijuan këngë të shumta që edhe sot kanë mbetur në kujtesën e dëgjuesëve si kënga “Tirona” ku këndonte edhe vetë Edi Rama, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës. West Side Family ishin sërish krah Edi Ramës si pjesë e fushatës elektorale të vitit 2009 ndërsa në zgjedhjet e vitit 2013, Flori, i zhgënjyer nga politikat e Ramës u bë pjesë e fushatës së PD me këngën “Zemërthyer” e cila sulmonte kreun e PS.

Pas ndarjes së grupit vite më pas, Flori nisi karrierën e tij solo si këngëtar, por edhe si producent për disa artistë ë të njohur. Kënga e tij “Origjinale”, bashkëpunim me këngëtaren Aurela Gaçe ka qenë një ndër këngët e tij më të suksesshme e cila atëherë ka patur një numër rekord klikimesh në YouTube dhe u vlerësua me çmimin “Best Albanian Song” në Balkan Music Awards. Ai ka vazhduar të ketë bashkëpunime të suksesshme me këngët me nota komike ku mund të përmenden ato me kolegun dhe mikun e tij Ermal Mamaqi si “Ku ka si Tirona” etj.

Dr. Flori u nda nga jeta mëngjesin e sotëm për shkak të problemeve shëndetësore ende të paqarta, duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijët, vajzën 7 vjeç dhe djalin 2-muajsh.