Vëmë bast që e klikuat këtë artikull duke kaluar nxitimthi në mendje, sekrete nga më të ndryshmet; ndoshta diçka personale, një problem me ligjin apo kushedi se çfarë. Ja që jo! Jemi këtu për të folur rreth peripecisë së Ledio Lakos me djersitjen e tij të tepërt.

Aktori mezi e nxori kartën e identitetit pasi duart e lagura nga djersa nuk lejonin daljen në pah të shenjave në fjalë (si për ironi të fatit ky artikull po shkruhet nga dikush që ka të njëjtin problem dhe vuajti gjithashtu gjatë marrjes së shenjave pë ID- në).
I ftuar ditën e sotme në “E Diell”, në rubrikën “Këndi i së vërtetës”, aktori i humorit u pyet nga kolegu i tij, Florjan Binaj se ç’ndodhi së fundmi me kartën e tij të identitetit.
“Unë djersis shumë dhe ky është një sekret që s’e kam thënë për publikun. Po t’i shikoni duart e mia janë qull dhe për këtë arsye nuk më dalin shenjat e gishtërinjve. Kur shkova për të ribërë kartën e identitetit, u mblodhën 6 gra, njëra më thante, një tjetër më fshinte, sërish dilte "error" (gabim) derisa u detyrova t’i fshija duart në suvanë e murit dhe më në fund aparatura njohu shenjat e gishtërinjve.”
Në mjekësi, gjendja në fjalë njihet me termin “Palmar Hyperhidrosis” dhe përgjithësisht shkaktohet nga dy faktorë: stresi emocional dhe përpjekja e trupit për të kontrolluar temperaturën e tij.