Anabelizim

Këto histori të frikshme do t'ju lënë pa gjumë!

Shkruar nga Anabel

5 Qershor 2019

Këto histori të frikshme do t'ju lënë pa gjumë!

Nëse përherë u keni bërë bisht artikujve me histori të frikshme këtu në Anabel.al (por këtë herë e keni ndarë mendjen për t’i lexuar), sa mirë për ju. Më poshtë gjenden shtatë të tilla.

Apo mos duhet të themi, sa keq....

“Mirëmbrëma Anabel. Dua dhe unë të tregoj një histori jo që më ka ndodhur mua, por dikujt shumë afër meje. Është histori e vërtetë. Në një familje që jetonte në periferi të Tiranës, një natë pasi ranë në gjumë, babai ngrihet për në tualet dhe kalon njëherë te dhoma e djalit pasi djali zbulohej natën dhe duke qenë se ishte dimër, donte ta mbulonte, mos ftohej. Kur hyn nq dhomqn e djalit sheh një vajzë me një fustan të bardhë që fërkonte kokën e djalit. Sapo vajza e pa babain u ngrit në këmbë dhe thjesht i tha “shttttt” duke vendosur gishtin tregues te buzët. Babai i hutuar nga ajo që pa shkoi të zgjonte gruan. Kur të dy shkuan te dhoma e djalit vajza tundi kokën dhe u zhduk. Mbas tre ditësh djali vdiq pasi e zuri korrenti. Shumë njerëz i thanë që nuk duhet të tregonte sepse ajo ishte një shpirt i mirë. Ju betohem që është histori e vërtetë pasi ma ka treguar vetë babai i djalit.”

 

“Përshëndetje Anabel. Doja t’ju tregoja dhe unë një histori. Bashkë me tre shoqet e mia ikim në Budva ca ditë. Pas një ditë të lodhshme dhe udhëtimi fjetjen e kishim në Ulqin. Na zë gjumi më herët se ditët e tjera. Kishim marrë një vilë druri, dy goca në një dhomë dy në tjetrën. Në orën 02:59 më del gjumi, mare telefonin dhe shkoj te dhoma e shoqeve të tjera.U shtanga komplet, njëra nga gocat ishte e shtrirë jashtë normales, e ngritur pak si në ajër, duart të përthyera dhe këmbët po ashtu, me fytyrë nga tavani, koka e perkulur dhe goja shumë e hapur. U tërhoqa mbrapsht, më kapi frika, fillova duke qarë dhe zgjova edhe shoqen me të cilën po flija. Edhe ajo kur e pa u frikësua shumë e fillum duke qarë, nuk guxonim të lëviznim. Dritat u fikën. Pas 10 minutash dëgjoj zërin e saj ku thot “O Zotttt”. Çohemi të dyja, shkojmë ta shohim, por këtë herë ishte duke fjetur normalisht. E zgjojmë shoqen nga gjumi dhe ia tregojmë, por ajo filloi të qeshte dhe nuk na besoi. Ishte e frikshme ju betohem. Anonim të lutem.”

 

“Nuk e di nëse isha çmendur pasi kam qenë vetëm 12 vjece kur flija natën e dëgjoja zhurma. Shtrihesha dhe normalisht derën e dhomës e mbyllja. Dëgjoja zhurma karrigesh, të përplasura, sikur hynin në banjo e hapnin dushin ( pasi dhoma ime është ngjitur me banjon) pastaj sa hapja derën e kaloja andej çdo gjë pushonte. Ishte vërtet tmerr. Tani kam frikë të fle vetëm në dhomë, më duket sikur ka hije. Anonim të lutem.”

 

"Më ka ndodhur në qershor të këtij viti. Isha vetëm në shtëpi ishte mëngjes ora diku 10 dhe po flija. Se si në 1 moment ndjeva që dora, trupi me ishte mpirë komplet dhe nuk i lëvizja dot. Sytë i kisha pak si të hapur. Tentoja t'i hapja po s'i hapja dot. Pak a shumë isha si në gjendje droge. Ndërkohë në atë gjendje të mpirë ndjej sikur kalon diçka dhe më vjen pas e më thërret në emër. Në atë moment më në fund u çlirova, hapa sytë, ktheva koken direkt dhe s'kishte asgjë. U tmerrova. U ngrita me vrap nga krevati e s'kam fjetur më. Kisha dhe frikë të rrija në shtëpi. Ma postoni dhe anonim të lutem."

 

“Ka ndodhur një vit më parë, në dimër. Unë punoja gjithë ditën dhe vija në shtëpi vonë. Futem tek dhoma e prindërve dhe aty shoh dikë që po krihej. Mendova mos ishte mami dhe i them të vijë në kuzhinë. Mbyll derën dhe futem në kuzhinë, kur shoh që ishin të gjithë aty. Edhe mami. Unë shtanga dhe nuk fola. Shkova me vrap në dhomë, hapa derën dhe s’kishte asgjë. Vetëm perdja lëvizte pak.”

 

“Isha tek disa të njohur në fshat. Pasdite vonë, po qëndronim jashtë në oborr. Zonja e shtëpisë shkoi dhe mori disa sende në kuzhinë dhe del duke thënë “Po, kush më thirri?”. Ne pamë njëri-tjetrin në sy, kur papritur dëgjojmë një zë që vërtet thërriste emrin e zonjës. Në tokë dëgjonim ca si të trokitura. U trembëm shumë, askush nuk foli.”

 

“Kjo i ka ndodhur familjes së babait tim. Një ditë gjyshi u ngrit dhe shkoi në tualet. Kur po kalonte, pa tek dhoma ku flinte vëllai i vogël babit (xhaxhai im) një grua të veshur me të bardha që e fërkonte tek koka dhe pëshpëriste disa fjalë. Ajo ia bëri me shenjë gjyshit të mos tregonte, por ai i trembur shkoi dhe i tha gjyshes. Disa ditë më vonë ai vdiq. Të gjithë i thanë gjyshërve që nuk duhet të tregonin për atë që panë, pasi ishte zanë ose shpirt i mirë.”

Shënim: Këto histori të frikshme janë publikuar ndër vite në Anabel.al