Nëse jeni një nga ata njerëz të cilët janë jashtëzakonisht të mërzitur që ka mbetur vetëm një seri nga “Game of Thrones”, mos u mërzisni pasi HBO do të publikojë një dokumentar së shpejti, më shpejt nga ç’pritej.
“Game of Thrones: The Last Watch” do të lançohet më 26 maj dhe bazuar te traileri duket se do të përmbajë prapaskenat e xhirimeve dhe mënyrën si u krijuan skenat magjike të serialit.
Videoja hapet me kastin e aktorëve së bashku me producentët D.B. Weiss dhe David Benioff. “Është e çuditshme. Jemi këtu në tavolinën e fundit dhe është si të jesh me familjen,” shprehet D.B. Weiss. Kit Harington (Jon Snow) nuk i mban dot lotët teksa sheh sërish skenat e famshme.
Në dokumentar pritet të përfshihen shumë materiale: xhirimet, momentet gazmore, mënyra si realizuan skenat, vendet madhështore dhe jo vetëm.