Në “Xing me Ermalin”, Ledina Çelo u shpreh se është “një nënë liberale”. “Kam qejf që çuni të provojë shumë, ndoshta për gocën mmmm, më pak. Dihet që ju çunat po nuk provuat shumë, filloni ju nuk ju rri rehat.”
Më tej vazhdoi duke u shprehur se ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse bashkëshortin e ka zgjedhur më të madh se vetja. “Kam 10 vite diferencë, thashë që më mirë burri 40 vjeç se ia ka qit bojën jetës, tani tek unë do kthehet [sic].”
View this post on Instagram
Situatë tipike për shumë familje shqiptare: “Ai është djalë, ti je vajzë; është ndryshe”. Natyrshëm lindin shumë nënçështje problematike: Pse është ndryshe? A mos është kjo një formë e keqedukimit të fëmijëve në raport me marrëdhëniet seksuale dhe respektin për gjininë tjetër? A mos është diskriminim me bazë gjinore?
Nisur nga komentet në videon e postuar nga Ermal Mamaqi në profilin e tij në Instagram, duket se ndjekësit nuk janë aspak në të njëjtin mendim me Ledina Çelon.
“Në momentin që thua çuni të provojë shumë dhe goca jo, ato gocat që do shkojë djali yt nuk janë goca nënash? Shumë liberale qenke.” – shkruan një ndjekëse. “Pa lidhje ke folur; diskriminim total mes mashkullit dhe femrës.” – shton një tjetër.
Të tjerë ndjekës janë të mendimit se çdo nënë duhet t’i edukojnë fëmijët njësoj. “Sikur çdo nënë ta mësojë fëmijët e vet se nuk është ok të keqpërdorësh femrën, djemtë do të formohen si personalitet dhe femrat nuk do të jenë të keqpërdorura.” – shkruhet në një koment.
“[...] Unë kam djalë vet dhe vajzë, do t’i këshilloj njësoj.”
“Më tepër se të qenurit nënë liberale apo konservatore, kjo ka të bëjë më shumë me rolin e nënës në lidhje me edukimin e fëmijëve, në këtë rast të djalit dhe vajzës. Se si do ta edukojë Ledina djalin e saj në lidhje me edukatën seksuale nuk më hyn në xhep. Por si personazh publik dhe si nënë, nuk mund të dalë dhe të flasë në emision me shpatë të madhe se ‘djali mund të bëjë qejf dhe vajza jo’. Sepse e para kundërshton veten, sepse tha jam liberale, ndërsa e dyta nxit pabarazinë gjinore. Mendoj se fëmijët duhen edukuar njësoj në lidhje me edukatën seksuale, vlerat e shoqërisë, mënyrën si duhet të jenë në një marrëdhënie etj.”