Kur vjen puna te pagat në Shqipëri, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sa të ulëta janë qoftë thjesht dhe vetëm në raport me ato të rajonit, pa qenë nevoja të krahasohemi apak me vendet e tjera, edhe më të zhvilluara të Evropës apo më gjerë.
Në kafene, zyra e diskutime nga më të ndryshmet, shprehim vazhdimisht mes nesh pakënaqësinë e rrogave të ulëta shqiptare. Sidoqoftë, për të folur me gjuhën e shifrave, në këtë artikull do t’ju njohim me rezultatet e studimit më të fundit nga Eurostat.
Sipas të dhënave që i referohen janarit të 2019- s, paga minimale në Shqipëri është 211 euro, ndërkohë që jo më larg se në Maqedoni, paga në fjalë shkon 240 euro.
Por, ndonëse në vlerë absolute, paga minimale në Shqipëri është sa 89% e asaj në Maqedoni, një individ me një pagë minimale në Shqipëri mund të blejë vetëm sa 75% e volumeve të mallrave dhe shërbimeve që blihen në shtetin fqinj. Pra, Shqipëria ka jo vetëm pagën më të ulët në rajon dhe BE në vlerë absolute, por dhe diferencën më të lartë sipas Standardeve të Fuqisë Blerëse, një njësi e Bashkimit Europian, që bën të mundur krahasimin midis shteteve, duke eliminuar diferencat e niveleve të çmimit midis shteteve dhe duke matur sa njësi mallrash e shërbimesh mund të blesh për të njëjtën vlerë parash.
Ata që paguhen me pagë minimale në vendin tonë, blejnë më pak volume të mallrave dhe shërbimeve edhe se më pak të paguarit e rajonit. Kjo nënkupton se paraja ka shumë më pak vlerë në Shqipëri, për shkak të çmimeve të larta të produkteve në raport me të ardhurat.
Burimi: Monitor