Viola Gjoleka, as që e mendonte se njerëzit do të dashuroheshin pas thjeshtësisë që transmetoi që prej mini-rolit që ju ofrua në serialin "Kemi njëri-tjetrin".
Pa ditur se çfarë e priste më vonë, Viola nuk u mendua dy herë për t'i thënë "PO", projektit më në zë të momentit, "Hostel by Anabel". Ndonëse në role sporadike, Viola spikati për natyralitetin, gjë që i hapi dyert diçkaje edhe më të madhe. Serialit:"Love Likes Tirana".
Viola, si ka qenë për ty deri më tani kjo eksperiencë?!
Kjo është një nga eksperiencat më të bukura të jetës sime dhe ndihem me fat që jam pjesë e këtij projekti. Normalisht përpos faktit që është argëtues, ne lodhemi shumë që publiku të marrë frytin më të mirë.
Gjatë kohës që u propozua ky projekt, sigurisht që e mendoje që bashkë me suksesin e "Hostel by Anabel" do të vinte dhe fama juaj. Në momente qetësie, e imagjinoje si mund të ndryshonte jeta jote?! Nga një vajzë e thjeshtë, në një prej vajzave më të përfolura të momentit.
Të besohet që nuk e mendoja fare?! Personalisht nuk e nisa për famë, por e dashurova që në momentin që Dalina e propozoi. Akoma nuk jam mësuar me idenë që njerëzit më njohin në rrugë apo që më përshendesin.
Jeta ime nuk ka ndryshuar shumë, thjesht tani çdo gjë është më intensive. Nuk kam shumë kohë te lire, gjithsesi mundohem ta menaxhoj.
Viola, ti tek seriali "Love Likes Tirana" luan rolin e Ledias. Një vajzë naive, e thjeshtë, që jeton 100% e përkushtuar lidhjen e saj, ndonëse në distancë. Ku bashkohet dhe ndahet Viola nga Ledia?!
Mua dhe Ledian na bashkojnë shumë gjëra. Njësoj si ajo edhe unë, (fatmirësisht ose fatkeqësisht) dua të besoj tek njerëzit, tek mirësia dhe gjërat e pastra. Gjithsesi, nuk jam aq naive sa Ledia (qesh) sepse me kalimin e kohës jam bërë selektive dhe pranë vetes dua vetëm njerëz që më bëjnë të ndihem mirë dhe që nuk përpiqen të ndryshojnë as 1% të asaj që jam vërtetë.
Me komentet e njerëzve si i ke punet? Ti s'ke pasur fare Instagram për një periudhë apo jo?! Dhe më parë, me rrjetet sociale ishe hermetike. Pse kjo zgjedhje?!
E kam thënë disa herë ka qënë një zgjedhje e imja personale duke qënë se jam tip që i përjetoj shumë gjërat. Mendoj se është më mirë të rrish larg. Para nje muaji hapa Instagramin dhe ne fakt kam marrë shumë dashuri. Kjo më gëzon shumë.
E ke frikë famën? Mendon se dashur pa dashur do të të ndryshojë?!
Më zë paniku shumë shpesh të jem e sinqertë, por që te pjesa e ndryshimit jam shumë e sigurt që jo. Madje tani jam bërë edhe me e dashur!.
Pasi Hosteli të ketë përfunduar, e sheh veten në televizion?! E do këtë fushë apo je thjesht duke shfrytëzuar mundesitë që të jep momenti?
Nuk e kam menduar të jem pjesë e televizionit sepse siç e thashë nuk e nisa me atë qëllim. Jetës nuk i dihet sepse ashtu siç ndodhi “Hosteli” mund të ndodhi diçka tjetër, megjithëse e dyshoj këtë pjesë. Jam pak më e orientuar në gjëra të tjera. Gjithsesi, unë e dua këtë fushë dhe jam mirënjohëse për mundësinë që mu dha.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.