Dy ditë më parë, në Anabel.al u postua artikulli “7 arsye përse nuk mund/duhet të largoheni nga Shqipëria!”, i cili frymëzoi dikë tjetër për të rrëmbyer celularin e për të na shkruar në llogarinë tonë në Instagram, @anabel_hostel.
E rikthyer në Shqipëri, vajza renditi shtatë arsye të tjera që (ndoshta) do ta shtynin këdo të qëndronte në Shqipëri.
1. Mund të rrish te miqtë e tu edhe 15 ditë e nuk të kërkojnë qira
Ju e keni parasysh si funksionon te ne, miku është gjithmonë në plan të parë. Gjejmë një vend për të edhe kur jemi një e kuzhinë, pjatën me më shumë mish ia japim po atij, respektin përpiqemi t’ia bëjmë në maksimum (se ashtu e ndjejmë, s’na lë sedra ose turpi, pak rëndësi ka) dhe në fund të ditës s’pranojmë para . Po deshi të lërë ndonjë gjë vetë.
2. Bën pazar te marketi poshtë shtëpisë, i ngelesh 200 lekë e shitësja të thotë: "Silli më vonë"
Ju lutem a mund të ndalemi pak këtu. Më thoni në ç’vend të botës (ndoshta edhe ka, por më pëlqen të mendoj që jemi të vetmit) i mbetesh borxh shitëses dhe ia jep kur kalon më vonë. M-A-GJ-I-K-E
3. Ke harruar të bësh pazar dhe mundesh ta bësh në mes të natës
Kushdo që ka në plan të ikë e të fillojë një jetë të re diku jashtë, mos largohet pa lexuar pikën numër 3. Dijeni se atje tej, në botën që synoni të shkoni do t’ju duhet të njiheni me një fjalë të re: ORAR! Gjithçka është e përcaktuar, ndaj nëse një natë të bukur ju bie në mendje të gatuani pak turli për të nesërmen duhet të prisni çeljen e supermarketeve ose tregjeve.
4. I thua dikujt ma shiko biçikletën dhe e lë pa problem
Hmmmm këtu kam rezerva
5. Mund të hash një drekë me fruta deti për dy veta 50 euro dhe kënaqesh
Arsyeja në fjalë vlen për t’u diskutuar dhe në thelb është e gjitha çështje këndvështrimi. Ndonëse krahasuar me çmimet ndërkombëtare, ushqimi është realisht lirë në Shqipëri, po të mendonim pak më gjatë rreth pagave dhe shpenzimeve, gjërat ndryshojnë. Sidoqoftë, nëse ke mundësinë dhe dëshirën për të ngrënë një drekë me fruta deti, e cila në koncept kushton, këtu te ne do shijosh një vakt për së mbari.
Po kështu:
6. Depilohesh me 1000 lekë në total
7. E pi një kafe në diell edhe në orar të punës