E rritur në një familje ku nëna ishte nga Durrësi, ndërsa babai i specializuar për inxhinieri druri, Genta Ahmeti nuk mund të rritej ndryshe përveçse duke pasur ëndërr varkat dhe detin. Sot, ajo është një sipërmarrëse e suksesshme, e cila ëndrrën e ka kthyer në biznes.
Në një intervistë për Jonida Podcast, Genta Ahmeti rrëfeu gjithë rrugëtimin e saj, i cili nuk qe fort i lehtë, ndonjëherë mbushej me paragjykime dhe skepticizëm.
Një ëndërr që nisi në periudhën e fëmijërisë, sot është përmbushur në një sipërmarrje të mirëfilltë. Në punishten e saj, prej gati 2 vitesh, Genta ndërton me dorë varka prej druri. Ajo është e para vajzë që është përfshirë në biznesin e varkave në Shqipëri.
Gjithashtu, së bashku me Marina Sportive Shqiptare dhe Bashkia Tiranë, nën mbështetjen e American Bank of Investments, është pjesë e projektit “Life On a Boat”, që synon të transformojë Liqenin Artificial në Tiranë duke sjellë një këndvështrim me atmosferë artizanale, ku të rinjtë të provojnë edhe lundrimin, pasi ndër të tjera, synimi i saj është që sa më shumë të rinj të dashurohen me lundrimin në varka me vela.
“Për momentin po qëndroj ende tek kjo ëndërr. Ëndrra tjetër është Genta që jeton në një varkë me vela. Pse jo të relaksohem diku afër bregdetit shqiptar, jo shumë larg punës. Por ka kohë për t’u marrë me varkën time.” – përfundon ajo.
Intervistën e plotë e shihni në vijim.