Letra e ditës

‘Biologjikisht, mami është tezja ime’

Shkruar nga Anabel

6 Mars 2019

‘Biologjikisht, mami është tezja ime’

Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.

“Mami që kam tani, realisht duhet të ishte tezja ime, por është mami im dhe jam shumë e lumtur për këtë. Madje-madje mendoj që është një super gjest human, që i ka ndryshuar jetën për mirë familjes sime aktuale. Unë jam një arsye shumë e fortë që prindërit e mi kanë luftuar dhe janë të lumtur sot. Pa mua, ata të dy nuk do të ishin njësoj.

Nuk i gjykoj aspak prindërit biologjikë, madje i vlerësoj për zemrën e madhe dhe mundësinë që i dhanë familjes sime. Unë u krijova për ta. U linda për ta dhe sinqerisht për ta jetoj.

Nuk e kuptoj si gjykohem unë, unë që e kam pranuar shumë lehtë këtë gjë. Gjykohem dhe më kërkojnë llogari duke më thënë “pse i fal”, “pse i flet”, “pse i do”. Po pavarësisht të gjithave, pavarësisht njerëzve, situatave dhe rrethanave, unë i respektoj prindërit e mi (biologjikë) për guximin, për dëshirën  dhe zemrën e madhe që ndihmuan një çift që të kishte një fëmijë.

Dua pafund mamin dhe babin që më kanë rritur. Fundja ata u lutën që unë të vija në jetë. Pa ta, unë nuk do isha sot.” – anonime

Nëse edhe ju keni një histori të ngjashme, ose keni dëgjuar për një të tillë, mos nguroni të na shkruani në Revista Anabel – Facebook.