Kreshnik Husaj, i njohur për publikun si Kika i “Big Brother Albania” 8 ka tashmë dy javë që është arrestuar nga policia e Tiranës, pas akuzave për favore seksuale dhe zhvatje parash. Aktualisht numërohen 30 denoncime ndaj tij.
Prej disa mujash, Husaj moderonte emisionin “The One Show nga Kika”, së bashku me Zaida Çobon, ish- banore e të njëjtit edicion të Big Brother- it, ku ishte ajo që e denoncoi e para Kikën.
"Është e vërtetë që kam denoncuar Kreshnik Husajn dhe ai tashmë është arrestuar. Kam qenë e para që e kam denoncuar dhe që e kam vënë para përgjegjësisë bashkë me stafin. Nuk mjaftoi që ai abuzoi me emrin tim po ndërkohë ai nuk më pagoi për dy muaj e ca punë dhe mbi të gjitha nuk e pranoja dot faktin që mashtronte e merrte lekë nga njerëzit si pa të keq. Ai ka plot 30 denoncime, është normale që do nxjerrin edhe emrin tim se vërtetë isha unë organizatore dhe skenariste e po ashtu edhe moderatore, por të gjitha këto i kam bërë për emisionin e jo për dallaveret dhe mashtrimet e tij” u shpreh ajo për gazetën Insajder.
Denoncime kanë bërë edhe disa vajza pjesëmarrëse në emisionin “The One Show nga Kika” të cilat kanë deklaruar se i kanë dhënë 300 euro Kikës në këmbim të promovimit si prezantuese në emisionin e tij.
Po kështu, edhe disa djem kanë akuzuar Husën duke rrëfyer se ishin paraqitur për të marrë pjesë në një eveniment të quajtur “Mister & Miss Albania Plus” të organizuar nga Kika. Ky i fundit sipas pretendimit të tyre u ka kërkuar favore seksuale në këmbim të çmimit të parë.
Teksa çështja mbetet në gjykim, emisioni “The One Show nga Kika” i transmetuar në “Channel One”, ku Kika ishte edhe producent ka ndërprerë transmetimin. Kjo nuk është hera e parë që ish- banori i Big Brother- it arrestohet. Dy vite më parë, Kreshniku u arrestua në Pejë, fill pasi ndaj tij u ngrit akuza për prostitucion, ku thuhej se kishte detyruar vetë të shoqen të kryente diçka të tillë.