High Tech

YouTube po bllokon komentet thuajse në çdo video që përmban fëmijë!

Shkruar nga Anabel

1 Mars 2019

YouTube po bllokon komentet thuajse në çdo video që

YouTube po bllokon komentet në shumë video që përmbajnë fëmijë për shkak të rënies në gjurmë të një rrjeti pedofilësh, të cilët shpërndanin përmbajtje shqetësuese përmes kësaj platforme.

Kompania që mundëson shpërndarjen e videove deklaron se nuk do t’i lejojë më përdoruesit të komentojnë në video ku përfshihen fëmijë 13- vjeçarë apo më të vegjël. Po kështu komentet do të bllokohen edhe për minorenët e moshës 13- 18, për të cilët YouTube beson se rrezikojnë të tërheqin sjellje të tilla.

YouTube po bllokon komentet thuajse në çdo video që

Siç ju bëmë me dijeni edhe më sipër, vendimi erdhi si pasojë e zbulimit të një rrjeti pedofilësh që shpërndanin dhe komentonin në video të fëmijëve të cilët kërcenin apo bënin gjimnastikë.

“Do fillojmë të bllokojmë komentet në shumicën e videove ku gjenden fëmijë, me përjashtim të një numri të paktë kanalesh që moderojnë vazhdimisht komentet dhe ndërmarrin hapa shtesë në mbrojtjen e fëmijëve. Ne e kuptojmë se komentet janë një mënyrë e rëndësishme për të lidhur krijuesit me audiencën, por gjithashtu dimë se gjëja e duhur është të mbrojmë komunitetin e YouTube- it.” u tha në një deklaratë të djeshme.

Kompania u shpreh se ndryshimi pritet të ndodhë brenda disa muajsh duke shtuar se në ndihmë të kësaj nisme do të jetë edhe një opsion që zbulon dhe fshin dy herë më shumë komentet individuale.