Ndonëse prej vitesh i është përkushtuar televizionit me kohë të plotë, Turjan Hyska rikthehet hera-herës te muzika. Së fundmi, publikoi një projekt që siç shprehet edhe vetë në Instagram, “është një projekt modest i realizuar përpara disa kohësh, por i mbetur në sirtar”.
Kënga “Artisti” është një falenderim për gjithë artistët që i dhanë shumë artit shqiptar. Me ndihmën e Shpëtim Saraçit, Hyska përdori notat e mjeshtrit Kujtim Laro për të sjellë një version të tijin. “Jetojmë në kohë ku shpirti është mbytur nga materialja...Arti mund të jetë gjithmonë rrugëdalje!” shkruan ai.
Kënga nis kështu:
“Emri Artist
Mbiemri Publik
Me tinguj ushqehem
Harresën kam frikë
Dëshira ime e vetme
Të jetoj në skenë
Dëshira ime e vetme
Le të vdesë në skenë”
Në vijim, nuk kursehet për të bërë një paralelizëm ironik mes artit të dikurshëm dhe artit sot, ose të paktën mes atij që shitet si i tillë.
“[...]Që s’dola në ekran
Që nuk shava nga robtë
Që nuk bëra ato skena
Me makinë si i fortë
Që mbeta pluhur
I fshehur nëpër rafte
Poezi Dritëroi
Që askush më nuk lexoi”
Videoja është realizuar vetëm me foto të artistëve të mëdhenj të fushave të ndryshme, si Vaçe Zela, Aleksandër Lalo, Françesk Radi, Anita Take, Dr. Flori, Gent Demaliaj, Mitrush Kuteli, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fadil Hasa, Kadri Roshi, Robert Drenika, Timo Flloko etj.
Në fund e mbyll me:
“[...] Po ta dish i dashur mik,
Nuk humba vetëm unë
Filloi errësira, injoranca
Tallavaja bëri bum
Ju vazhdoni në moçal
Të lumtur e pa faj
Para ekranit sytë mbaji
Se tani filloi Bidai...”