Ditën e sotme, e ftuar në emisionin e pasdites të Rudina Magjistarit ishte moderatorja Jona Spahiu, e cila rrëfeu diçka më shumë për dasmën, shtatzëninë dhe lindjen e djalit.
Në hyrje të intervistës, nëna e re u pyet rreth dasmës, ku tregoi se përgjithësisht, si çdo vajzë tjetër edhe ajo e kishte ëndërruar veten me fustan të bardhë, ndonëse e kishte provuar edhe herë të tjera pasi kishte sfiluar me një të tillë.
“E doja shumë atë ceremoni.” u shpreh Spahiu.
Më tutje, Jona vazhdoi:
“Në fakt për të mos qenë shumë emocionale, por nuk mund ta evitoj ta them këtë gjë...ëëë... babai im ka gjashtë vite që është ndarë nga jeta dhe si çdo prind shqiptar do donte ta shihte vajzën e vet të përcjellë në një familje tjetër me një ceremoni të denjë. Edhe e bëra këtë edhe për kujtimin e tij, edhe për ta respektuar atë.”
Në bisedë e sipër Jona do të ndante emocione të forta me publikun pas një video mesazhi të së motrës ku i shprehej se babai, atje në qiell ishte krenare për të, e cila pas ndarjes së tij nga jeta, Jona mori të gjithë përgjegjësitë mbi supe.
“Babi im vërtet ka vuajtur shumë, seps ka jetuar 24 vitet e jetës së tij në burgjet komuniste por e ka patur familjen e shenjtë, ka projektuar te ne të dyja ëndrrat e tij të parealizuara, na ka mësuar me shumë rregulla, ka dashur shumë që të lexojmë, që t’i arrijmë vetë gjërat tona në jetë edhe absolutisht kjo ishte më e pakta që unë mund të bëja.’ përfundoi Jona.