Edhe këtë vit, pjesëmarrësit e “Këngës Magjike” patën diçka për të thënë për sistemin e votimit të festivalit. Pakënaqësirat janë të vjetra sepse festivali i tillë ka qenë gjithnjë – pjesëmarrësit votojnë për njëri-tjetrin – por sërish gjendet diçka e re për t’u thënë. Albërie Hadërgjonaj, mbrëmë në Oxygen, hoqi dorezat dhe tha se e di që nuk fiton kur merr pjesë Aurela Gaçe a në edicionin e fundit, Flori Mumajesi.
"Unë nuk kam shkuar më se pse nuk dua të fyej asnjë këngëtar, por Aurela Gaçe merr me vete pesë këngëtarë që punojnë te lokali i saj, 4-5 shokë. Flori Mumajesi ka konkurrentë aty 5-6 këngë që i ka kompozuar vetë. Normalisht, si do fitoj unë? Është mes miqsh.
Nuk ka asgjë të keqe. Se i kam të dy miq dhe i dua shumë, por dua të them se nëse Aurela Gaçe është në Këngën Magjike, ç’dua unë? Jo se ka ndoshta këngën më të mirë, por se i ka 4-5 artistë të vetët. Normalisht, është dhe artiste e jashtëzakonshme, e mahnitshme. Edhe Flori këtë vit, kishte 5-6 kompozime të vetat, të gjithë i dhanë maksimumin e pikëve atij,” thotë Albëria.
Aurela Gaçe ka fituar tre herë vendin e parë në “Këngën Magjike,” ndërsa edicionin e fundit, ku fitoi Flori Mumajesi, bashkëpunimi i saj me Eli Farën zuri vendin e dytë.
Albëria vijon më tej duke sqaruar se nuk ka frikë konkurrencën mes këngëtarësh, por thjesht s’i pëlqen mënyra e votimit në festival:
"Unë, që si artiste them të paktën jam dikushi, s’mund t’i them një djali të ri, këngëtar të mrekullueshëm, ‘a do të më votosh ti? A do të më japësh ti mua pikë?’
Është skandal. Unë s’kam frikë askënd. Kush këngëtar të dojë, të vijë të përballet me zë, me këngë, me të folur, me të veshur, me shkrim, me lexim, me ç’të duan unë nuk frikësohem,” përmbyll ajo.