Gara e djeshme televizive (e shtunë, 5 janar) midis Tv Klan dhe Top Channel ishte e fortë. “Xing me Ermalin” pati puntatën e parë për vitin 2019 me të ftuar kryeministrin Rama, ndërsa në Top Channel ishte premiera e sezonit të tretë të “Dua të të bëj të lumtur”.
Referuar sondazhit të Revista Anabel në Facebook, “Xing me Ermalin” kryeson me një diferencë të vogël në përqindje: 55% me 45%.
Edhe pse i ftuar ishte kryeministri Rama – që përbën gjithnjë interes – historitë familjare me tema dhe probleme të së përditshmes në “Dua të të bëj të lumtur” rrëmbyen jo pak shikueshmëri.

Vlen të theksohet këtu se në Revista Anabel në Facebook, audienca është gjithëpërfshirëse (fillon nga 15 e deri në 65 vjeç), çka nënkupton interesin ndaj emisioneve që trajtojnë ndër të tjera edhe probleme të aktualitetit.
Megjithatë, nëse në Facebook konkurrenca ishte gati kokë më kokë, në Instagram është krejt e kundërta. “Xing me Ermalin” numëron 66% të votave.
Pjesa dërrmuese e ndjekësve në Instagram janë mosha të reja, gjë që shpjegon edhe interesin për të ndjekur intervistën e kryeministrit Rama, që ndër të tjera do të fliste edhe për një ndër ngjarjet më të bujshme të vitit – protestën e studentëve.