Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka bërë të ditur datat dhe organizimin e maturës shtetërore 2019.
Lëndët dhe datat e provimeve:
– Gjuhë e huaj: 7 qershor 2019
– Gjuhë shqipe dhe letërsi : 12 qershor 2019
– Matematikë: 17 qershor 2019
– Lënda me zgjedhje: 24 qershor 2019
Shënim: Ndryshe nga vitet e tjera, maturantët do të japin vetëm një provim me zgjedhje.
Provimet e detyruara dhe ai me zgjedhje do të organizohen në datat përkatëse në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e gjysmë.
Testi i provimit “Gjuhë dhe letërsi italiane” (Lingua e literatura italiana) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane do të zhvillohet më 24 maj në shkollat përkatëse. E njëjta gjë vlen edhe për testin “Gjuhë frënge” (DELF B2 scolaire).
Si zakonisht, maturantët që nuk kanë mbyllur të gjitha provimet e vitit shkollor, nuk mund të japin provimet e maturës shtetërore. Ndërsa ata që do të rezultojnë mbetës në provimet e fundit (matura shtetërore 2019), do t’i rijapin në sezonin e dytë, që përgjithësisht caktohet në shtator.