TV Mania

Pas debatit Ronela–Revolt Klan, ç’do të ndodhë vitin tjetër me sistemin e pikëve te ‘Kënga Magjike’

10 Dhjetor 2018

Pas debatit Ronela–Revolt Klan, ç’do të ndodhë

Ditën e djeshme, të ftuar tek “E diela shqiptare”, Ronela Hajati dhe grupi Revolt Klan patën një debat midis tyre. E gjitha nisi pasi Ronela u shpreh se ishte habitur me disa konkurrentë që e kishin vlerësuar këngën e saj me 0 pikë.

“E dinë vetë ata kush janë.” – tha me ironi ajo.

Pas saj, fjalën e mori njëri nga çunat e Revolt Klan, që i dha Ronelës 0 pikë. Sipas tyre, tek pikët nuk kishte asgjë personale, thjesht kishin harruar ta vlerësonin njësoj si disa vite më parë, kur sërish i dhanë 0 pikë dhe sërish pohuan se kishin harruar.

Në këtë pikë, Ardit Gjebrea e gjeti të nevojshme të ndërhynte duke thënë se konkurrentët janë paralajmëruar më parë për penalizime. Pse?

“Nëse ti voton me 0 pikë një nga këngët që është pretendente për çmimin e parë, do të thotë që është e qëllimshme” – sqaroi ai.

Nisur nga çështja e pikëve – pasi artistët thanë se e kanë të vështirë dhe nuk votojnë gjithmonë bazuar vetëm në anën profesionale – u hap edhe diskutimi për sistemin e zgjedhjes së çmimit të parë.

Rovena Dilo ishte e mendimit që të votoheshin vetëm artistët e rinj, ndërsa ata të afirmuar të mos garonin për çmimin e parë.

Rozana Radi e kundërshtoi duke thënë se gara ka emocionet e veta dhe propozoi që në votim të merreshin parasysh 3 elementë: votimi i artistëve për njëri-tjetrin, votimi i publikut dhe votimi i një jurie specifike. Në fund, pasi mblidhen të gjitha pikët, zgjidhet fituesi.

Gjebrea nga ana tjetër u duk i hapur ndaj çdo propozimi të ri.

 
Pas debatit Ronela–Revolt Klan, ç’do të ndodhë
Renditja e artistëve sipas pikëve.