Sipas kryeministrit Rama, legjislacioni i tanishëm mbi lajmet e rreme, është “i relaksuar”, gjë që do të ndryshojë me paketën anti-shpifje, e cila me të drejtë shkaktoi shqetësim në industrinë e medias dhe në opinionin publik.
Në konferencën “News Agencies vs Fake News,” Rama tha: “Bordi i këtij autoriteti duhet të reagojë në mënyrë të menjëhershme pasi në Shqipëri kanë qarkulluar dhe qarkullojnë lajme të rreme. Ka pasur ‘Fake News’ se kam bërë marrëveshje me Putinin. Po qeveria është gati për të paraqitur paketën anti-shpifje, edhe pse kemi pasur një legjislacion të relaksuar. Pesë vitet e fundit u regjistruan 20 mijë portale. Rreth 700 janë portale lajmesh.”
Kryeministri përmendi lajmin e rremë se qeveria shqiptare do të pranonte ish-luftëtarë të ISIS dhe lajmin e rremë se kishte bërë marrëveshje me presidentin rus për t’i shitur një qytet të tërë për të nxjerrë në pah të ligat e këtij fenomeni të përhapur.
Si dhe, Rama tha se do të implementohen gjoba për lajmet e rreme dhe shpifjet; do të garantohen të drejtat e autorit dhe do të ndëshkohen shpërhapësit e shpifjeve. Ata që replikojnë janë po aq përgjegjës sa ai që ishte i pari. “Vendosja e rregullave të qartë do të jetë në funksion të situatës dhe në përmirësimin e vetë botës së mediave online, sigurisht pa cenuar lirinë themelore të fjalës së lirë dhe të informimit të publikut.”
Burimi: Top Channel dhe BalkanWeb