Ajo që shumë prej nesh e patën parashikuar, ndodhi! Gjakrat u nxehen aq shumë në puntatën e djeshme të “Hell’s Kitchen” sa për pak sekonda, konkurrent Erioni dhe shef Renato u perplasën fizikisht.
E gjitha nisi për një lakër. Sipas Mekollit, Erioni po e priste lakrën trashë, a thua se po bënte turli. Vërejtjet erdhën disa minuta pasi shefi e kishte kritikuar edhe më parë për karotat. Shkon, i tërheq vëmendjen dhe konkurrenti kundërpërgjigjet.
“E para e punës më ul tonin mua këtu, se më duket se keni ndryshuar rolet.” shprehet Renato.
Erioni kërkon ndjesë.
“Ti je një ndihmës, një zero, nuk je asgjë.” vazhdon shefi.
Më tutje e kritikon Erionin duke i thënë se përse nuk i kërkoi ndihmë asistentit të tij, meqë nuk është i qartë rreth asaj se çfarë duhet të bëjë. Kështu teksa Renato pyet “E pyete apo jo shefin tim”, Erioni përgjigjet me “Të lutem shef ma trego”. Ky dialog i përsëritur vazhdon dhe asnjëri nuk lëshon pe, s’pranon të përgjigjet.
Dëgjohet Mekolli të thotë “O kafshë” dhe kalohet menjëherë në sekuencën kur që të dy mbajnë shtrënguar fort parakrahët e njëri- tjetrit.
“Jo, jo mua mos ma bëj këtë veprim ti, avash mos ma bëj këtë veprim.” thotë konkurrenti dhe largohet.
Pavarësisht gjithë kësaj, Mekolli vendosi ta falte dhe ta kthente sërish, për herë të fundit, Erionin në kuzhinë.