Mëngjesin e sotëm mbërriti në Rinas arkëmorti nga SHBA me eshtrat e Mit'hat Frashërit, personalitetit të shquar të letrave dhe kulturës shqipe.
Për kthimin e eshtrave të diplomatit, nëpunësit të lartë në Perandorinë Osmane dhe firmëtarit të pavarësisë, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për mundësimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.
Homazhet do të zhvillohen në Akademinë e Shkencave dhe më pas eshtrat do të varrosen pranë vëllezërve Frashëri, në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.
I biri i Abdyl Frashërit, Mit’hati lindi në Janinë më 25 mars 1880. Pasi mbaroi edukimin akademik në Stamboll punoi në administratën turke dhe më pas në atë shtetërore të Selanikut.
Nisi të bëhej pjesë e politikës shqiptare që në fund të shekullit XIX për t’u shndërruar në një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare, gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.