Ishte kënga e fundit e Arilena Arës “Last Train to Paris” (Treni i fundit për në Paris”, që na kujtoi detajin e “tarracës së trenit) dhe jo vetëm.
Arilena i këndon një dashurie të humbur që pavarësisht të gjithave shërbeu për të kuptuar forcën që ajo mban brenda vetes.
Një pjesë e mirë e videoklipit është xhiruar sipër trenit, ku ajo shfaqet herë me një fund të verdhë tyl dhe herë me një fustan të lirshëm.
Treni nuk është në lëvizje; në lëvizje është vetëm Arilena që vrapon në tarracën e tij.
Një pamje e tillë na solli ndërmend klipin e famshëm të këngës “Lejla”. Ndryshe nga klipi i Arilenës, në këtë rast treni ishte në lëvizje.
Të gjithë e mbajmë mend trenin lejla, veshjen e Elvanës në nuanca pak a shumë të ngjashme.
Meqë ra fjala, këtu mund të lexoni më shumë mbi këngën “Lejla” dhe të tjera këngë që kryesuan në klasifikimin e “Top Awards” për muaj me radhë.
Shënim i vockël: Treni në lëvizje dhe Elvana sipër tij na bëri të gjithëve që t'i futeshim google-imit duke shkruar nëse është apo jo e mundur që dikush të qëndrojë mbi tren kur ai është në lëvizje. Sigurisht që ka rrezik, por një person i stërvitur mirë mund t'ia dalë. Pra, ka rrezik, duhet shumë punë, por nuk është e pamundur.
Mirëpo, nuk janë vetëm këto dy raste. Para këngës “Kriminel i zemrës” Fifi publikoi “Habibi” në bashkëpunim me Lamar. Në disa pjesë të klipit, ato shfaqen të ulura tek instalacioni i vendosur pranë Bulevardit të Ri, si simbol i rrugëtimit dhe zhvillimit të Tiranës në vite.
Në një pjesë tjetër të videoklipit, Fifi shfaqet në tarracën e lokomotivës me avull, që u vendos si mënyrë për të rikthyer të kaluarën, për ta vendosur në kontakt me të tashmen dhe të ardhmen. Sigurisht që simboli i lokomotivës nuk ka lidhje me këngën e Fifit, por ta dinit si informacion, pse jo.
Vazhdojmë me një tjetër rast. Po Luana tek “Luanët” ju kujtohet? Në fillim ishte brenda trenit,
por sigurisht që s’i rezistoi dot pjesës së sipërme.
Tani sigurisht që duhet të ketë edhe raste të tjera në muzikën shqiptare, po njerëz jemi dhe ne; s’i mbajmë mend të gjitha. Kështu që nëse ju vinë ndërmend të tjera, na shkruani se i shtojmë.
Por, normalisht që Queen- “Breakthru” tek tarraca e trenit në ecje e mbajmë mend…e mbajmë mend mirë.
Në fakt, nëpër kabinat dhe tarracat e trenit janë realizuar sa e sa filma, por për sot vëmendjen e kanë këngët, për filmat do të flasim herë tjetër.
Në mbyllje, veçuam dy raste. Një nuk ka lidhje as me muzikën dhe as me filmat, por është aq ide interesante sa e toleruam: Dasma e moderatorit Labinot Gashi, i cili e mori nusen, Qëndresën, me çfarë do thoni ju?
Po, me tren.
Qershia mbi tortë: “Tren për Prizen” (Tren për Përzëren).