Kërkesat e Roza Latit për burrin që do në krahë janë fare të thjeshta. Të gjithë kemi një tip, një lloj karakteri a pamjeje që na tërheq më shumë se të tjerët. Ndryshe nga ne, Roza mund ta thotë publikisht ç’i pëlqen dhe në këtë mënyrë, gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet, të provojnë fatin.
“Që një burrë të fitojë vëmendjen time duhet të ketë humor, duhet të jetë gentleman, duhet të ketë një buzëqeshje shumë të kururar, me dhëmbë të pastër, të bukur. I kam shumë merak dhëmbët dhe buzëqeshjen tek burrat. Mbi të gjitha, duhet të ketë shumë vetëbesim. Gratë tërhiqen gjithmonë nga burrat me vetëbesim,” tha Roza në një intervistë për Gazetën Shqiptare.
Me pak fjalë, katër kritere: humor, mirësjellje, dhëmbë të rregullt dhe vetëbesim. Gjithashtu, besojmë, duhet të jetë i aftë të përballet me jetën publike të Rozës. Siç tha në të njëjtën intervistë, ajo e ka pasur famën në shtëpi, është rritur me të.
“Ndryshimi im mes personazheve të tjerë që janë bërë të famshëm ka të bëjë me faktin se unë jam vajza e aktores, jam vajza e një personazhi publik. Famën e kam pasur në shtëpi, jam rritur me famën. Pesë vjeçe shkoja me mamin për të blerë bukë dhe na shkonte rruga 20 minuta sepse njerëzit ndalonin për të marrë autografe. Atëherë nuk kishte selfie. Jam rritur me idenë që njerëzit të shohin, të ndalin, të përqafojnë, të duan, të admirojnë. Për mua është normale kjo pjesë.”