Anonim të lutem

Rrëfime shqiptare: ‘Letër për historinë e prindërve të mi’

27 Tetor 2018

Rrëfime shqiptare: ‘Letër për historinë e

Kjo është historia e prindërve të mi, që përfundoi ende pa nisur mirë…

‘‘Njohja dhe martesa e prindërve të mi nisi në tetorin e vitit 1995. Pra, 23 vite më parë. Babi ishte një djalë i dashur me të gjithë, pa vese, njeri punëtor. Ndërsa mami, një vajzë e re në moshë, por që jeta e kishte rritur para kohe. Ata u njohën me shkuesi, por e deshën njëri-tjetrin pa masë. Nga kjo dashuri lindën 2 vajza dhe harmonia dhe dashuria mes çiftit gjithmonë rritet. Babi, si kryefamiljar, gjente dhe bënte çdo lloj pune për të ushqyer familjen. Mami lutej çdo nate për kthimin e tij. Priste e shqetësuar me dy foshnja në krahë.
Derisa një natë pranvere, ai nuk erdhi më…Do kisha dashur shumë të tregoja për historinë e tyre, për dashurinë e tyre; sesi kuptoheshin pa qenë nevoja të flisnin. Sot, mami, edhe pse kanë kaluar 20 vite, prapë e do. Rrallë ndodh që të flasë për të, por unë e shoh në sytë e saj që e do. Ajo e mbylli jetën ende pa e nisur mirë, me vdekjen e tij.’’

Kjo është historia e prindërve të mi, një dashuri e madhe që përfundoi në ndarje…

‘‘Dashuria e prindërve të mi ishte nga ato me shikim të parë. U njohën që në gjimnaz. U deshën dhe takoheshin fshehurazi. Më pas e bënë gjithçka publike. Ende pa mbaruar mami gjimnazin, u martuan pasi pritej të vija unë në jetë. Por, 2 vite pas lindjes sime, gjërat sikur u ftohën. Më vonë, u ftohën akoma më shumë derisa u ftohën fare.
Ata u ndanë më pas për shkak të babit. Ai nisi bixhozin dhe pijen. Mami duroi sa duroi, më pas u dorëzua. Ime më vazhdoi jetën, u martua dhe jetoi e lumtur. Ndërsa për babin nuk e di nëse i kam shkëputur marrëdhëniet me të. Kjo ishte historia e tyre, një dashuri e madhe që përfundoi në ndarje. ’’

Kjo është historia e prindërve të mi, një dashuri fëminore që vazhdon ende dhe sot...

‘‘U njohën që fëmijë pasi jetonin në të njëjtin pallat. Duke qenë moshatarë, ndanin bashkë pothuajse çdo gjë. U lidhën në moshën 16-vjeçare dhe për katër vite u shtirën sikur ishin thjesht shokë. Mbaj mend që mami na tregonte që për të sinjalizuar babin që po dilte, i binte ziles së biçikletës.
Kanë kaluar shumë vështirësi. Përmend këtu kohën e ushtrisë së babit ku shkëmbenin letra. Për fat të keq, nuk i kanë ruajtur dhe kështu s’mund t’i lexojmë dot. Jemi 3 vajza dhe kemi patur gjithnjë kureshtje të dinim detaje të historisë së tyre. Janë ata arsyeja që të treja e kemi gjetur dashurinë. Sot, pas shumë vitesh bashkë, pothuajse 40 vjeç, janë ende të lumtur.’’

Kjo është historia e prindërve të mi, një dashuri që s’e shkatërruan as vitet e burgut…

‘‘Prindërit e mi sapo bën 45 vjet martesë. Kanë 10 vite diferencë, por tek ata kam vërtetuar se diferenca s’është asgjë.
Babi im ishte 29, ndërsa mami 19. Jetonin mirë e bukur, derisa im atë u burgos në burg politik. Një ditë para dhënies së vendimit në gjyq, dikë tjetër e pushkatuan, ndërsa babin e dënuan me 25 vite. Ato vite iu dukën si 25 ditë, për shkak të idesë së pushkatimit. Në atë kohë mami ishte 2 muajshe shtatzënë. Për fat të mirë, babi qëndroi në burg vetëm 10 vite. E gjeti vëllain 10 vjeç. Prindërit e mi janë krenaria ime dhe shembulli më i mirë për ne në të ardhmen.’’

Kjo është historia e prindërve të mi, një mblesëri që s’u kthye kurrë në dashuri…

‘‘Duke qenë se nuk kam pasur një familje të shëndetshme, e dua me gjithë shpirt në të ardhmen. Mami është martuar me mblesëri me babin, pasi në atë kohë kishte lekë nëpër duar dhe shtëpi. Qëndruan bashkë për 10 vite dhe sollën në jetë 3 fëmijë. Ndoshta kishte dhe dashuri mes tyre, por mua s’më kujtohet. Mami kishte debate të mëdha me vjehrrën dhe thotë që ka vuajtur shumë prej saj. Babi nuk reagonte fare, kështu që mami largohet. Ai nuk pyeti kurrë për ne, nuk pyeti kurrë që ka edhe një familje tjetër. Ne jetojmë të lumtur me mamin, por sigurisht të mbyllur në vetvete. Kush ka familje të shëndetshme ka gjithçka.’’

Kjo është historia e prindërve të mi, një nënë që sakrifikoi gjithçka deri sa sëmundja e treti…

‘‘Prindërit e mi u njohën 34 vite më parë me mblesëri. Vetëm 2 vitet e para kaluan mirë, pastaj gjithë vitet e tjera kanë qenë thjesht vuajtje për mamin, e cila ishte shtëpiake, ndërsa babi ushtarak. Vuajtjet filluan kur tre fëmijët e parë i vdiqën pas lindjes. Pastaj erdha unë në jetë dhe babi as u gëzua fare, sepse isha vajza dhe jo djalë. Pinte gjatë gjithë kohës dhe bënte sherr. Nuk ushtronte dhunë fizike kurrë, mirëpo ajo mërzitej gjithsesi. Sakrifikoi gjithë jetën duke u munduar të na plotësonte kushtet pasi ishim 4 fëmijë.
Babin zëre se nuk e kemi patur, nuk ka qenë i pranishëm në jetën tonë. Fatkeqësisht mami u sëmur me kancer dhe u largua nga jeta 4 vite më parë. Aty familja u shpërbë si të mos kishte ekzistuar kurrë. Babi u martua disa muaj pas vdekjes së mamit dhe tani nuk flasim më. Më vjen shumë keq për mamin pasi ishte e dashur dhe punëtore, por në fund sëmundja e treti.’’

Kjo është historia e prindërve të mi, një dashuri që nisi me ‘‘shuplaka’’…

‘‘Prindërit e mi jetonin afër aso kohe. Siç dilnin më përpara fëmijët me bagëti, edhe prindërit e mi ndihmonin familjes përkatëse. Një herë, në një kohë të keqe, mami rrëzohet e bie në një rrjedhë lumi. Mund të ketë qenë 10 vjeç, ndërsa babi 2 vite më i madh. Ai e shikon, vrapon për ta nxjerrë dhe i jep disa shuplaka të mira, sepse nuk tregoi kujdes. Që nga ai moment, mami e urrente dhe nuk i fliste më.
Kohët kalonin, prindërit rriteshin. Babit filloi t’i pëlqente mami, por ajo nuk pranonte pasi ende e kishte të freskët ndodhinë e gjuajtjes tek rrjedha e lumit. Gjithsesi pas shumë tentativash, më në fund pranoi dhe u martuan. Sot janë për t’u marrë shembull. Nuk i dëgjuam kurrë duke debatuar.’’

Kjo është historia e prindërve të mi, dy njerëz që u bashkuan nga Zoti…

‘‘Babi asaj kohe ishte ushtar në qytetin e mamit, ndërsa mami një gjimnaziste që shkonte në shkollë me shoqet. Ama babi, siç na ka treguar, kishte pëlqyer një shoqen e mamit në fillim, por më pas natyra çapkëne e saj e bëri për vete. Përfundoi shërbimi i ushtrisë dhe babit i duhej të largohej. Mirëpo kur dy njerëz i bashkon Zoti, s’ka gjë që i ndan. Fati e deshte të takoheshin sërish në Tiranë pas dy vitesh dhe që atëherë s’u ndanë më.’’

Kjo është historia e prindërve të mi, që nisi dhe vazhdoi keq…

‘‘Mamit ia prezantoi një shoqe babin para 25 vitesh. E pëlqeu dhe pranoi, por më vonë nuk dëshironte pasi ia njohu tipin. Mirëpo nëna e mamit nuk dëshironte të ndaheshin pasi jetonin në fshat dhe i vinte turp. U martuan. Gjithë jetën ai ishte i dhunshëm me mamin dhe shumë i keq me ne fëmijët. Para dy vitesh u ndanë pasi kishte dashnore një grua të martuar. Ne kemi rënë qetësi, po ashtu dhe ai me dashnoren e vetë.’’

Kjo është historia e prindërve të mi, të cilët ende vazhdojnë ta pinë kafen e mëngjesit bashkë…

‘‘Prindërit e mi janë fejuar me shkuesi dhe janë martuar pas 2 vitesh fejese. Nuk janë takuar deri në ditën e martesës dhe shumë shpejt festojnë 40 vite bashkë. Pas martesës, ata nuk patën fëmijë për 9 vite. Babi ishte gjithnjë ai njeriu pozitiv që i jepte shpresë mamit. Pas 9 vitesh lindi motra e madhe, pas 7 vitesh linda unë dhe më vonë motra e vogël.
Nuk e kam dëgjuar kurrë babit që ta ofendojë mamit ose e anasjellta. Gjithmonë i kanë dhënë merita njëri-tjetrit. Babi nuk merrte kurrë vendim pa e shqyrtuar njëherë me mamin. Respekti ka qenë primar dhe dashuria nuk ka munguar kurrë.
Kanë mbi 25 vite që kafen e mëngjesin e pijnë bashkë në lokal. Ai nuk dilte kurrë me shokët, por na merrte të gjithëve ne dhe na shëtiste.’’

~Shkruar nga gra dhe burra anonimë për Anabel mbi temën ‘‘Kjo është historia e prindërve të mi…’’, përshtatur nga redaksia~