Olta Gixhari, në postimin e fundit të Instagram-it ka reaguar e revoltuar ndaj skandalit të financimeve të supozuara greke ndaj gazetarëve dhe emrave të tjerë të njohur të ekranit.
Mes listës me emra që qarkulloi nëpër portale dhe media së fundmi, ishte dhe ai i aktores.
“Është një marrëzi që më ka prishur ditën! Dikush do të mbajë përgjegjësi për këtë shpifje të rëndë kundër emrit tim. Nesër në një deklaratë më të gjatë në Opinion.”- ka shkruar aktorja përbri postimit, duke bërë me dije se kjo çështje jo vetëm që s’do të mbetet me aq, por ka edhe më për të thënë sot në ‘Opinion’.
Në listën e shumëpërfolur, thuhet se Olta Gixhari dhe shumë emra të tjerë politikanësh, gazetarësh apo këngëtaresh kanë marrë para në këmbim të mbrojtjes së interesave të shtetit fqinj.
Gjithsesi, pyetja që na lind vetvetiu është se në ç’mënyrë mund t’i kenë shërbyer Greqisë emrat e përmendur? Duke qenë se shumë prej tyre janë personazhë të njohur dhe aktiviteti i tyre është lehtësisht i identifikueshëm, duket paksa e pabesueshme vërtetësia e diçkaje si kjo. Të paktën, për aq kohë sa argumentat dhe faktet mungojnë.