
Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve që kanë emigracionin më të lartë të njerëzve të arsimuar dhe me grada shkencore. Në vitin 2010 dhe 2011, emigrimi i shqiptarëve të mirëarsimuar është rritur me 223% kraharuar me vitet 2000 dhe 2001.
Bazuar në një studim të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, duke intervistuar 720 doktorantë dhe 303 studentë që jetojnë jashtë vendit, shumica e “diasporës shkencore shqiptare” nuk dëshiron të kthehet.
Shqipëria kryeson listën botërore për potencialet e larta të emigrimit. Një sondazh i Gallup në 2017-n gjeti se 56% e shqiptarëve dëshirojnë të emigrojnë. Numri i atyre që duan të ikin shënoi rritje në raport me sondazhin e vitit 2012, ku 36% e shqiptarëve kishin në plan të emigronin.
Rritja e dëshirës për emigrimin në këto katër vitet e fundit është më e larta në botë, sipas rezultatit të sondazhit, por mbetet i frikshëm fakti se Shqipëria ka nivel të lartë të “emigracionit të trurit.”
Pas intervistave me emigrantët shqiptarë, u arrit në përfundimin se gjysma e tyre, afërisht 49%, nuk ka në plan të kthehet në Shqipëri, 32% u përgjigjën se “vijnë në Shqipëri për të punuar, pas një periudhe kohore jashtë vendit”, dhe vetëm 4% thanë: “do të kthehem në Shqipëri pas diplomimit, të punoj”.
Numri i studentëve shqiptarë në vendet e OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) u rrit me 430% në vitin 2016 në raport me vitet 2000.
Madje, sikur të mos mjaftonte, doktorantëve që duan të kthehen për të kontribuar në universitetet shqiptare u është mbyllur dera.
Artikulli është marrë nga Monitor.al dhe për ta lexuar të plotë, klikoni këtu.