Dje, teksa vija për në punë, mora vesh lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh Fatos Arapi herë në moshën 88-vjeçare e herë 89, varet nga mediat, por kujt po i interesonte kjo. Teksa lexoja komentet në faqe të ndryshme, s’po u besoja syve që disa njerëz shkruanin se nuk e dinin që ishte gjallë (deri dje). Më filloi një revoltë e brendshme, nga ajo që të kap dhe do vetëm t’u bërtasësh me zë të lartë për t’u vënë në dukje injorancën a ku di unë se çfarë. Megjithatë pasi u kthjellova, mendova se njerëzit, qofshin këta lexues të rregullt apo njerëz që s’kanë prekur kurrë një libër me dorë në jetën e tyre, nuk kanë faj.
Nuk kanë faj sepse Fatos Arapi nuk u dekorua kurrë me vlerësime presidenciale, më korigjoni nëse e kam gabim. Vlerësime të tilla u janë dhënë me mijëra njerëzve. Ndoshta ai e refuzoi nuk i dihet, ashtu i mbyllur brenda mureve të shtëpisë për gati një dekadë për shkak të gjendjes shëndetësore, dhe me të drejtë. Nuk ngeli artist ose “artist” pa ngulur në kraharor një dekoratë.
“Pas ikjes së Dritëro Agollit, letërsia shqipe i ka gjithmonë e më të vështira humbjet e tjera, të dhimbshme si kjo e Fatos Arapit. Shkrimtar i rëndësishëm, me një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka, Fatos Arapi, mik dhe koleg i dashur, u bë pjesë e pandarë e kalendarit letrar shqiptar të shekujve XX e XXI”, u shpreh Ismail Kadare në një komunikatë të veçantë fill pas lajmit të shuarjes nga jeta të Arapit. E megjithatë, pavarësisht rëndësisë, krijimtarisë dhe dhimbjes që la pas, Fatos Arapi u përcoll pa ndonjë ceremoni zyrtare të denjë për figura si ai.
Një zë origjinal i poezisë shqipe, i cili spikati në kulturën tonë përmes gjuhës dhe stilit, u përcoll pa bujë, thjesht në një ceremoni të mbyllur familjare.
Nuk kanë faj njerëzit që më tepër se me vdekjen, habiten që shkrimtari ishte gjallë. Prandaj edhe rrugës për në punë, pas leximit të lajmit të vdekjes, m’u kujtua poezia “Si s’të desha pak më shumë”.
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…
Pavarësisht se do të donim ta kishim dashur pak më shumë, siç shkruan edhe shkrimtari Agron Tufa, po të kemi parasysh veprën e tij “Nuk vdes shpirti në tetor”, shkrimtari që s’i pagoi asnjë “taksë” regjimit, do të mbetet i pavdekshëm përmes veprës së tij.
