Mjekët në spitalin e fëmijëve në Melbourne po përgatiten të veçojnë binjaket 14-muajshe, të bashkuara në bark. Ato mbërriten nga Bhutani në Australi të martën.
Nima dhe Dawa Pelden janë të bashkuara në stomak dhe janë rritur duke parë njëra-tjetrën. Nuk ulen dot, por mund të qëndrojnë në këmbë, nëse duan të rrinë në këmbë në të njëjtin moment.
Deri më tani, mjekët kanë dalë në përfundimin se binjaket kanë një mëlçi të përbashkët, ndoshta dhe zorrën e trashë. Secila ka zemrën dhe mushkritë e veta.
Binjaket dhe nëna e tyre, 38-vjeçarja Bhumchu Zangmo, do të takohen me specialistët të martën për të vendosur mbi operacionin që do t’u ndryshojë jetën.
“Na duhet më shumë informacion, sa më shpejt të jetë e mundur,” thotë Dr Joe Crameri, kreu i kirurgjisë pedriatike në Royal Children’s Hospital. “Sapo të mbledhim informacionet e nevojshme, do të formulojmë planin e duhur për t’i ndarë binjaket. Kemi besim se do ta arrijmë me një operacion të vetëm dhe të dy binjaket do t’ia dalin më së miri.”
Operacioni do të realizohet nga dy ekipe, një për secilën binjake, të përbëra nga specialistë të ndryshëm.

Crameri tha se sa më shumë të rriten binjaket, aq më e vështirë do të ishte ndarja e tyre.
“Jeta e tyre po komplikohet dita-ditës, sidomos tani që janë të afta të lëvizin. Është shumë e vështirë për to, duke marrë parasysh se i kanë fytyrat përballë njëra-tjetrës,” tha ai.”
Operacioni dhe udhëtimi drejt Australisë u mundësua nga fondacioni Children First, i cili gjithashtu financoi ndarjen e binjakeve nga Bangladeshi, Trishna dhe Krishna. Binjaket jetime ishin të bashkuara në kokë dhe ndanin enë gjaku dhe ende nga truri bashkë. Ato jetojnë në Melbourne me familjen që i adoptoi.
Operacioni i ndarjes së binjakeve kushton $300,000 dhe fondacioni shpreson t’i mbledhë përmes dhuruesve të ndryshëm.
Burimi: The Guardian