Sezoni i ri televiziv u karakterizua nga ndryshime të mëdha dhe lëvizje të bujshme të figurave mediatike nga një vend në tjetrin. Në fund të muajit gusht, u mësua se Besart Kallakut dhe Erion Isait do t’i bashkohej gjithashtu Olsi Bylyku dhe të tre së bashku do të kenë hapësirën e tyre në emisionin e së dielës në Tv Klan.
Së fundmi, në një intervistë për Tv Klan, ka qenë Erioni i cili ka zbuluar detaje të programit të ri dhe ndryshimit të këtij të fundit nga ‘Portokallia’.
Rubrika “B.E Caffe” do të nis së shpejti gjatë programit ‘E diela shqiptare’ nën moderimin e Ardit Gjebreas.
“B.E Caffe ishte një ngacmim i Arditit. Paralelizmi midis ëndrrës për të qenë Shqipëria në Bashkimin Europian dhe dëshirës së papërmbajtshme të shqiptarëve për bar-kafenetë. Është një simbol që përshkruan aktualitetin shqiptar.”- u shpreh aktori.
Përveç të tjerave, ai tregoi se në ndryshim nga ‘Portokallia’ në këtë rubrikë humori do të trajtohet nisur nga vetja, jo në bazë të personazheve.
“Është tërësisht format i ri. I konceptuar si një shoë i performancës, argëtimit dhe humorit. Personazhet tona do të vijnë vetëm me të ftuarit VIP të emisionit, në një formë të veçantë të cilën s’po e zbuloj.”- përfundoi ai.