Letra e ditës

Një letër shokut tim me përfitime: ‘Të doja në dasmën time, të doja në dasmën tënde’

30 Qershor 2018

Një letër shokut tim me përfitime: ‘Të doja në

Të takova për herë të parë në dhjetë vite, pas tre martesash dhe katër fëmijësh mes nesh dhe më duket sikur gjithçka është njëlloj. Por sigurisht që nuk është. Jemi në të dyzetat tani, të dy më të plakur, më të shëndoshë, më të lodhur. Ditët e gëzueshme të njëzetave i kemi lënë pas me kohë. Kemi lënë pas dhe ditët e papërgjegjshme – kjo drekë u desh të planifikohej në avancë.

Të dy kemi nga dy fëmijë, ti ke pasur dy gra – për të cilat kam qenë xheloze, edhe pse ti s’ishe kurrë zyrtarisht i imi.

Ruajtja e kontaktit ka qenë e thjeshtë pasi Facebook-u më siguroi një dritare në jetën tënde. Kam parë fotot e dasmave, fotot e fëmijëve, kam parë lumturinë tënde – lumturinë me një grua që s’isha unë. S’ka qenë e thjeshtë, përtej marrëveshjes sonë.

A kanë brezat e rinj shokë me përfitime? Shokë me të cilët mund të shijosh seksin dhe bukurinë e miqësisë pa dhimbjen e një telefonate të humbur apo ndarjes?

Ne patëm një marrëdhënie të tillë për vite me radhë dhe shpeshherë përgëzonim njëri-tjetrin se shmangën komplikacionet e një lidhjeje, ndjenjat, dashurinë madje.

Por unë të dua. Të doja kur nisëm të ishim shokë me përfitime. Të doja kur ti sillje të dashurat në shtëpi dhe unë u hidhja gjëra nëpër këpucë (e papjekur, e di). Të doja kur ti u shpërngule në një qytet tjetër për punë dhe qava për ditë të tëra. Të doja kur kërceve në dasmën time. Të doja kur dëgjova për dasmën tënde.

Dikur i tregova dikujt për marrëdhënien tonë dhe më pyetën sa kohë kishim bashkë. Më kujtohet fytyra e saj kur i thashë se s’kemi qenë kurrë bashkë, s’kemi dalë në takim, s’kemi dërguar letra për Shën Valentin. Kur i thashë që kisha bërë gjëra me ty, që s’do t’i bëja me tim shoq.

Ekspertët thonë se nëse je me fat, bie në dashuri tre herë në jetë. Unë i theva rregullat dhe të lejova të ishe një nga ato tre herë. Ti s’duhet të ishe një histori dashurie. Ti duhet të ishe diçka për të qeshur në darka me miqtë, një shaka e brendshme me shoqet, një ‘a e mban mend kur...”

Ti s’duhet të ishe ai që u largua.

Shkruar nga një grua anonime për The Guardian.